Kosova Asnjë rast i ri me koronavirus sot në Kosovë, dita e parë...

Asnjë rast i ri me koronavirus sot në Kosovë, dita e parë që nga 13 marsit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 138 testime për Covid-19 dhe asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv, duke e bërë këtë të diel ditën e parë pa asnjë të infektuar që prej 13 marsit, kur është konfirmuar edhe personi i parë pozitiv.

Sipas IKSHPK-së të dielën janë shëruar edhe 4 persona, ndërsa numri total i tyre ka shkuar në 789. Deri tani, në Kosovë kanë humbur jetën të prekur me Covid-19 29 persona.

“Si në të gjitha vendet, edhe ne jemi futur në një normalitet të ri me të cilin duhet të mësohemi. Distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që ta fitojmë këtë betejë. Çdo shkujdesje, shpërqendrim apo relaksim dhe kthim në zakonet si para virusit mund të na kushton, madje edhe rëndë. Në anën tjetër për këta muaj, përmes fondeve të Qeverisë, ndihmës nga miqtë tanë, diasporës e shumë organizatave kemi siguruar dhe po sigurojmë mjete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për mbrojtje dhe rritje të kapaciteteve tona. Vepruam bashkë dhe po fitojmë bashkë”, ka shkruar në Facebook ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.