Bota Atentat kryetarit të komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut, të paktën...

Atentat kryetarit të komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut, të paktën dy të plagosur

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur këtë të hënë në Haraçinë të Maqedonisë së Veriut. Sipas asaj që raportojnë mediat atje, një person ka hapur zjarr në drejtim të makinës ku udhëtonte kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.

Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur 2 persona, që sipas Klan Maqedonisë, janë shoferi i Ibrahimit dhe një punonjës i komunës.

Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Momentalisht nuk dihet nëse kryetari ndodhej në makinë.

Autori raportohet të ketë qëlluar të paktën 20 herë në drejtim të të plagosurve dhe më pas është larguar me makinë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore. Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht nuk dihen.