Bota Avioni i rrëzuar nga Irani, Trudeau i vendosur: Drejtësi për viktimat

Avioni i rrëzuar nga Irani, Trudeau i vendosur: Drejtësi për viktimat

Kryeministri kanadez Justin Trudeau është i vendosur të kërkojë drejtësi për personat e vrarë në bordin e avionit ukrainas, i rrëzuar nga një raketë iraniane. Trudeau foli gjatë një ceremonie në homazh të 57 kanadezëve që humbën jetën në tragjedi, në Edmonton të Albertës.

“Kjo tragjedi nuk duhej të kishte ndodhur dhe unë dua t’ju siguroj se keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ju na motivoni që të kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi për ju. Nuk do të lodhemi deri sa të marrim përgjigje”, u shpreh Trudeau.

Kryeministri kanadez mori pjesë në një memorial në nder të viktimave ditën e diel, ndërsa në Iran manifestuesit anti-qeveritarë mbushën rrugët në ditën e dytë të protestave kundër liderëve vendas.

Irani pranoi se kishte qëlluar gabimisht me raketa avionin Boeing, duke nxitur zemërim brenda dhe jashtë vendit. Protestuesit sfiduan masat e rrepta të sigurisë dhe dolën në rrugët e Teherani dhe qyteteve të tjera me slogane kundër lidershipit. Pati raportime për përleshje me forcat e sigurisë të cilat u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës. Në një akt simbolik për refuzimin e propagandës shtetërore, një video tregoi studentët teksa kujdeseshin të mos shkelnin flamujt amerikanë dhe izraelitë, ndërsa thërrisnin se armiku i vërtetë ishte regjimi iranian. Presidenti amerikan paralajmëroi Iranin në Twitter të mos sulmonte protestuesit antiqeveritare, duke thënë se e gjithë bota po vëzhgon.