Aktualitet Balla: Pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nuk do të shiten më, bien...

Balla: Pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nuk do të shiten më, bien në duart e atyre që i kishin më parë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur në konferencën “Strategji për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit”, ku ndër të tjera u shpreh se pronat e sekuestruara edhe të konfiskuara tashmë nuk do të nxirren në shitje, por ato do të vendosen në dispozicion të institucioneve shtetërore.

Balla e quajti të papranueshëm faktin që disa institucione shtetërore qëndrojnë me qira dhe këto prona të sekuestruara shiten, ku në mjaft raste bien në duart e atyre që i kishin më parë.

“Është një temë që të përfshinë në emocione për shkak të plagës sociale të trashëguar ndër vite. Ne kemi në Ministrinë e Brendshme dhe Agjensinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe atyre të Konfiskuara ku kemi vendosur si prioritet që një pjesë e madhe të pasurive të konfiskuara të krimit të kalojnë në interes të viktimave të krimit ku dua të ndaj me ju edhe lajmin.

Ka pasur një praktikë kjo agjensi deri para pak kohësh, por që tashmë nuk do të ekzistojë më që pasuritë e sekuestruara merreshin dhe shiteshin dhe për fat të keq në shumë raste shkonin prapë tek ai që i kishte. Kjo gjë nuk do të ekzistojë më. Agjensia nuk do të shesë më prona të tilla, nuk do të privatizojë, por do t’i përdorim për këto qëllime të vënies në dispozicion për institucionet shtetërore sepse është e papranueshme që edhe të kemi institucione shtetërore që qëndrojnë me qira dhe ndërkohë këto t’i shesësh.”

Gjithashtu gjatë fjalës së tij Balla i bëri thirrje edhe Shoqërisë Civile dhe organizatave të angazhuara në mbështetjen e viktimave të dhunës që të paraqesin propozimet e tyre në mënyrë që të mundësohet që këto prona të vihen në dispozicion edhe për trajtimin e viktimave të dhunës.

“Mirëpres nga organizatat e Shoqërisë Civile të angazhuara edhe në këtë strategji apo edhe në strategji të tjera me fokus mbështetjen e viktimave të dhunës të sjellin në Ministrinë e Brendshme propozimet konkrete për agjencinë. Ne mund t’ju vendosim në dispozicion një listë të këtyre pronave dhe sëbashku këto prona t’i vëmë në dispozicioni tuaj për të trajtuar viktimat e dhunës.”