Aktualitet Balla: TikToku, rol shkatërrues në shpërndarjen e dhunës, dëmton shoqërinë

Balla: TikToku, rol shkatërrues në shpërndarjen e dhunës, dëmton shoqërinë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla e konsideron rrjetin social TikTok si një platformë të dëmshme për shoqërinë shqiptare.

Duke folur në konferencën “Strategji për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit”, Balla tha se mbetet problem trajtimi nga shteti i personave që kanë qenë viktimë e një ngjarje kriminale.

Dhuna në familje është një ndër këto aspekte. Dhe për të luftuar këtë situatë, të cilën Balla e konsideron emergjente, kërkoi ndihmën e të gjithë aktorëve të shoqërisë, përfshirë dhe mediave.

Por ministri i Brendshëm theksoi se TikToku, si një aspekt i mediave të reja online, sipas tij është i dëmshëm për shoqërinë dhe një platformë që ndjell dhunë.

“Jemi në kushtet e një situate emergjente, e cila kërkon adresim të menjëhershëm dhe kjo nuk arrihet vetëm me forcën e ligjit, kjo arrihet duke u bërë të gjithë bashkë, duke krijuar një koalicion kombëtar të të gjithë aktorëve, qofshin aktorë të institucioneve shtetërore, por edhe të shoqërisë civile, edhe të medias, sepse duhet ta pranojmë, nuk flas për mediat tradicionale, por ka tani elementë të rinj të mediave dhe unë jam të paktën në këtë aspekt, jam shumë i qartë për rolin shkatërrues të TikTokut në këtë aspekt si shpërndarës i pakontrolluar i dhunës dhe i dëmit që i krijon shoqërisë. Por na duhet që numrin e lartë të viktimave ta fillojmë ta trajtojmë”, u shpreh ndër të tjera ministri i Brendshëm.

Shqetësim për rolin e TikTokut kanë shprehur edhe shtete të tjera. Në SHBA, ky rrjet social është konsideruar si rrezik për sigurinë kombëtar. Për këtë arsye, zyrtarët e shtetit janë ndaluar që të përdorin TikTok. Po kështu, edhe funksionarët e Bashkimit Europian janë ndaluar që të përdorin rrjetin social TikTok.

Në Shqipëri ka patur raste konkrete që sherre të nisura në TikTok kanë përfunduar në dhunë fizike dhe pengmarrje.