Politika Basha: Nuk ka marrëveshje me Ramën

Basha: Nuk ka marrëveshje me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e së enjtes se partia e tij nuk do të marrë pjesë “në asnjë diskutim politik pa dalë para drejtësisë ata që kanë vjedhur zgjedhjet”.

“Nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën në asnjë rrethanë. Ikja e tij është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën. Fundi i Edi Ramës do të jetë i keq, por i denjë për një rrugëtim të bërë në shoqërinë e kriminelëve. Ai ka shkelur çdo ligj dhe çdo standard, është bërë ortak me krimin në mënyrën më vulgare dhe e ka bërë për pushtet dhe për para”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se “Rama do të largohet sepse nuk përfaqëson më interesat e shqiptarëve; nuk do të mund të qëndrojë më në pushtet kundër vullnetit të popullit”.

Basha theksoi gjithashtu se “ikja e Ramës është në interes të integrimit të Shqipërisë. Me Edi Ramën, Evropa do të ketë vetëm krim dhe emigracion nga Shqipëria. Këtë e dinë tashmë në të gjithë kryeqytetet e Evropës”.

“Në fushatën fallco për zgjedhjet fallco, Rama bredh nëpër Shqipëri duke u sjellë si i fortë. Nën mbrojtjen e mijëra policëve, po tallet me shqiptarët”, theksoi Basha.