Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i vetmi organ që Kuvendi i Sali Berishës nuk e shkarkoi një ditë më parë, do të mblidhet me kërkesë të Lulzim Bashës për të vendosur për shkarkimin e emrave që dolën në mbështetje të Sali Berishës, mes të cilëve edhe vetë Edi Paloka, kryetar i këtij Këshilli.
Gara se “kush shkarkon kë” duket se po futet në një spirale qesharake. Edi Paloka reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tha se thirrja e Këshillit është e paligjshme, sepse Lulzim Basha nuk ka tagër për të thirrur mbledhjen e tij, ndërsa sa për Kryesinë, sipas Palokës ajo është shkarkuar në Kuvendin e Berishës.
Pas daljes së Bashës reagoi edhe Berisha. Ai foli në emër të të gjithë Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, i ngritur në Kuvendin e thirrur nga ish-Kryeministri, por që nuk njihet nga Lulzim Basha.
“Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga Kuvendi konsideron nul dhe qesharake çdo dëshirë të deputetit Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar për të shkarkuar drejtuesin e këtij Këshilli, apo për të marrë masa disiplinore ndaj përfaqësuesve të mijëra demokratëve që me votë të lirë dhe legjitime vendosën sot shkarkimin e tij!”, shkroi Berisha.
Në një reagim të dytë, pak orë pasi mbledhjes së Këshillit Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha, Berisha nuk flet më në emër të Komisionit të Rithemelimit, por në emër të vet. Këtu thotë se nuk ka më asnjë dyshim se kush e ka PD dhe kush jo.
“Ne, të gjithë së bashku, delegatë dhe militantë dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga delegatët. Sot nuk është më koha e dyshimit! Sot është koha e veprimit”, shkruan ai.
“Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tona të përbashkëta, Partinë Demokratike për të vazhduar betejën kundër së keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur”, përfundon Berisha.