Bota BE fillon një procedurë shkeljeje kundër Londrës për Brexit

BE fillon një procedurë shkeljeje kundër Londrës për Brexit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi sot fillimin nga BE të një procedure kundër qeverisë britanike, për shkak të një projektligji të kundërshtuar për rishikimin e pjesshëm të marrëveshjes për Brexit.

“Këtë mëngjes, Komisioni Europian ka vendosur të dërgojë një letër njoftimi zyrtar qeverisë britanike. Ky është hapi i parë në një procedurë shkeljeje”, njoftoi drejtuesja gjermane.

Fillimi i kësaj procedure u njoftua në një kohë kur negociatorët britanikë dhe europianë janë mbledhur në Bruksel që prej të martës, për një cikël negociatash, vendimtare për marrëdhënien e ardhshme tregtare, që do të përfundojnë të premten.

Një samit europian u hap sot në kryeqytetin belg dhe drejtuesit e BE-së duhet të informojnë për gjendjen e negociatave me Londrën.

“Britania e Madhe ka një periudhë prej një muaji për t’iu përgjigjur letrës europiane”, theksoi Komisioni në një njoftim për shtyp.

Projekt-ligji në fjalë, i aprovuar nga deputetët britanikë të martën dhe i cili ende duhet të shqyrtohet nga Lordët në javët e ardhshme, vë në pikëpyetje disa angazhime të bëra nga Britania e Madhe në marrëveshjen që rregullon largimin e saj nga BE më 31 janar.