Kryesore Berisha: Audioja e “21 Janarit” është manipulim i Ardi Veliut

Berisha: Audioja e “21 Janarit” është manipulim i Ardi Veliut

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur nga gazetarët është ndalur tek audioja e publikuar së fundmi për 21 Janarin. Berisha tha se ajo është një manipulim dhe falsifikim nga Ardi Veliu. Berisha theksoi se 21 Janari përbën një nga ngjarjet më tragjike në përpjekjen për grusht shtetit.

Më tej ai u shpreh se Rama është faktuar si organizator i asaj proteste dhe për këtë arsye do ta ndjekë përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune.

“Së pari që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje. Por të them këtu, i takon mediave t’i thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë disa tabela shkrimi që paraqiten si audiopërgjim dhe që nuk ekzistojnë. Nuk u paraqit kund audio. Dëshmoj qartësisht se është një manipulim dhe falsifikim. Njëlloj si shiriti i 21 Janarit ku u tha se Sali Berisha ishte implikuar në problemin e hidrocentralit. Është gjithçka krijesë e Ardi Veliut.

Theksoj edhe njëherë, 21 Janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekjen për një grusht shteti, marrjen e pushtetit me dhunë nga ata të cilët i kam denoncuar me kohë. Komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti SHBA, ka hetuar me të madhe që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës. Edi Rama është personi kryesor, organizator i dhunës. Edi Rama nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokurori ndonëse u thirr. Edi Ramën do ta ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Ai është i faktuar si organizator në mënyrën më të pakundërshtueshme. Pjesa e gardistëve është hetuar nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës. Është hetuar me një prani të rëndësishme ndërkombëtare dhe janë dhënë dënimet e njohura gjer tani. Meqenëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut i them lëri ato. Hajde hiq imunitetin se unë nuk kam imunitet për asgjë dhe shko dëshmo për organizimin e puçit. I solli si mish për top. Natyrisht ngjarja është tragjike. Atëherë dhe sot, familjarët kanë ngushëllimet e mia. Por manipulimi që bën Edi Rama për njerëz që përdori si mish për top se donte të vinte në pushtet është makabritet. Kjo është përgjigja”, u shpreh Berisha.

Më herët, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se PS po harton një padi të re për 21 Janarin pasi sipas tij ka dalë në dritë një provë e re.