Politika Berisha: Basha, një besëprerë. Shumë gjëra që ia kam thënë në privat...

Berisha: Basha, një besëprerë. Shumë gjëra që ia kam thënë në privat janë të dokumentuara

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar falje demokratëve në Gjirokastër për mbështetjen që i ka dhënë Lulzim Bashën. Berisha tha për kreun e PD-së se është besëprerë. Berisha tha se privatisht i ka thënë Bashës çdo kritikë dhe shumë gjëra janë të dokumentuara. Megjithatë ai u shpreh se publikisht e ka mbrojtur me qëllimin që ta çonte PD-në drejt fitores.

“Ju falenderoj shumë për praninë dhe ndërhyrjen dhe ju dhe të gjithë demokratëve ju kërkoj falje dhe ndjesë për mbështetjen që i kam dhënë një njeriu, i cili e mbylli karrierën e tij politike si një besëprerë. Por nuk është kjo ajo që unë kërkoj vlerësim dhe gjykimin e anëtarësisë. Unë kërkoj ndjesë se ndonëse privatisht i kam thënë çdo gjë që ti mund të kesh menduar me veten tënde, çdo gjë. Fatmirësisht shumë gjëra janë të dokumentuara nga këto që them, por publikisht e kam mbrojtur atë. Jam përpjekur që ai të na çojë në fitore. Jam përpjekur që PD të shkojë drejt fitores duke i vënë në dukje gjithçka që nga momenti i kërkesës sime për të dhënë dorëheqjen në vitin 2017 kur PD mori rezultatet më të turpshme që kishte marrë ndonjëherë”, tha Berisha.

Berisha propozon rregullin e ri në PD: Për t’u bërë kryeministër duhet të votohesh në primare

Sali Berisha ka deklaruar nga “Foltorja” në Gjirokastër se kryetari i partisë nëse humben zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen. Sipas tij, ai mund të futet në zgjedhje, por vetëm nëse ka dhënë dorëheqjen.

Ish-kryeministri deklaroi se demokratët synojnë që të vendosin edhe një rregull tjetër, që kandidati për kryeministër të votohet njëherë në zgjedhje brenda partisë. Ai mori shembull kryeministrin e parë të nxjerrë nga PD-ja, ku tha se u përzgjodh nga një votim me dy kandidatura në Këshillin Kombëtar.

“Ky një gjë është e sigurtë, mbyll derën e fitores, por derën e fitores nuk na e mbyll dot ne. Kryetari po humbi zgjedhjet lokale do hapë dorëheqjen, të hyjë në garë po të dojë, do ketë të drejtë të hyjë në garë, por i dorëhequr. Vendimi i tjetër që ka futur në statut, kryetarëve të degëve u kërkon që po të kandidojnë si deputet të japin dorëheqjen, kurse për kryetarin e madh nuk ekziston dorëheqja. Do ia vendosim ne ato, por do të vendosim edhe rregull tjetër. Edhe kryeministri për t’u bërë kryeministër do të votohet në primare njëherë. A e dini ju që kjo parti kryeministrin e parë në historinë e saj e ka përzgjedhë në votim me dy kandidatura në votim në Këshillin Kombëtar. Tani do ta bëjmë më demokratike partinë. U them shqiptarëve mos u ndikoni nga veprimet e turpshme, se një njeri që thotë kam studiuar në Europë dhe shkelmon votën është jashtë çdo imagjinate të një njeriu. Këtë parti do ta bëjmë ashtu siç janë idealet tuaja, shtëpi të lirisë për shqiptarët”, tha Berisha.