Sport Berisha flet për golin e çuditshëm që bëri xhiron e botës

Berisha flet për golin e çuditshëm që bëri xhiron e botës

Etrit Berisha e ka marrë me sportivitet golin e çuditshëm që pësoi ndaj Kazakistanit në “Air Albania”, që gjithsesi nuk ndikoi në rezultatin e përgjithshëm, pasi Shqipëria fitoi me rezultatin 3-1. “Gardiani” i kuqezinjve evitoi komentet mbi reagimet ndaj këtij finalizimi, që ka bërë xhiron e botës.

“Ishte një gol që mund të evitohej. Nuk rri të shikoj çfarë kanë shkruar dhe çfarë kanë thënë të tjerët. Vendosja ime ishte më lart se ç’duhet. E di ku ishte gabimi. Kazakistani nuk mund të na rrezikonte ndryshe, ajo ishte e vetmja mundësi. Nuk mendoj se ishim në vështirësi të madhe. Nuk e patëm ndjesinë që Kazakistani mund të shënonte. Duhet të bëjmë më mirë dhe të korrigjojmë gabimet që kemi bërë më herët. Ndeshja që zhvilluam atje ishte pozitive dhe mendoj se na jep mundësi edhe për këtë ndeshje”.

Vendi i parë në Grup: “Sfida me Kazakistanin ishte shumë e rëndësishme, ishte një hap i mbarë. Fillimi i mbarë, ishte gjysma e punës. Unë mendoj që kualitetin e kemi, duhet të jemi të qetë. Kemi më shumë cilësi se ekipet e tjera. Duhet të futemi të qetë për të fituar ndeshjen. Gjithë çunat janë të vetëdijshëm se duhet të japim maksimumin”.