Politika Berisha mbron Metën: SHISH, Autoriteti i Dosjeve dhe SPAK janë shndërruar në...

Berisha mbron Metën: SHISH, Autoriteti i Dosjeve dhe SPAK janë shndërruar në aneks të zyrës së Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar në aneks të zyrës së tij disa institucione të drejtësisë dhe sigurimit në vend.

“Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrintit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij”, tha Berisha në një postim në Facebook.

“Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Duke dënuar me forcën më të madhe këto akte të shëmtuara të regjimit mafioz të Edi Ramës, të bazuar në dhunimin e votës së qytetarëve, vjedhjen e papërmbajtur të pasurive dhe fondeve publike, drogën  dhe krimin, i them vasalit të Aleksander Vuçiç-it se je i pashpresë dhe se, nuk ka manipulim, shpifje apo falsifikim as dhe ligj i votuar nga mazhoranca kallpe që do të shpëtojë ty nga ndëshkimi i rëndë popullor. Ti dhe shteti yt mafioz njëpartiak do të keni fundin e merituar!”, shkruan Berisha.