Bota Biden: Jemi pranë fitores. Trump: Avantazhi që kisha u zhduk si me...

Biden: Jemi pranë fitores. Trump: Avantazhi që kisha u zhduk si me magji

Kandidati demokrat për President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, deklaroi se, pavarësisht se nuk ka ende asgjë zyrtare, “shifrat flasin qartë”, duke shprehur bindjen se do ta fitojë ai garën ndaj Donald Trump.

“Kemi marrë mbi 74 milionë vota, më shumë se çdo kandidat tjetër në historinë amerikane. Mendojmë se do të marrim mbi 300 vota elektorale. Besojmë se do të fitojmë Arizonën dhe Xhorxhën për herë të parë në dy dekada”, theksoi Biden.

Kandidati demokrat u bëri thirrje amerikanëve që të qëndrojnë të bashkuar, pavarësisht tensioneve që po shkakton numërimi i votave.

“Ta lëmë mënjanë zemëratën. Kemi probleme serioze, nuk kemi kohë që të humbasim me luftë partish. Jemi kundërshtarë politikë, jo armiq”, tha Biden.

Ndërkohë që numërimi vijon, Biden kërkoi durim: “Duhet të qëndrojmë të qetë dhe ta lëmë procesin të marrë kohën e vet. Vota juaj do të numërohet. Pavarësisht se disa duan ta ndalojnë këtë gjë, nuk do ta lejoj që të ndodhë”.

Trump premton betejë ligjore: Avantazhi që kisha u zhduk si me magji

Donald Trump përdori Twitter-in për të akuzuar dhe për të thënë se avantazhi që kishte ndaj Joe Biden “u zhduk si me magji”, ndërsa premtoi betejë ligjore.

“Joe Biden nuk duhet të gënjejë duke thënë se do të bëhet President. Edhe unë mund ta them të njëjtën gjë. Procedurat ligjore janë vetëm në fillim.

Ditën e zgjedhjeve kisha një avantazh shumë të madh në shtete si Pensilvania, Nevada, Arizona dhe Xhorxha, por ky avantazh u zhduk si me magji ditët në vijim. Ndoshta avantazhi rikthehet me avancimin e procedurave ligjore që kemi nisur”, shkroi Trump në rrjetin social.