Politika Bllokimi i Rinasit, Meta thirrje Ramës: T’i japim një zgjidhje sa më...

Bllokimi i Rinasit, Meta thirrje Ramës: T’i japim një zgjidhje sa më të arsyeshme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nga Vlora, ku pati një konferencë për shtyp para gazetarëve foli mbi situatën e krijuar në Rinas për shkak të grevës së punonjësve të Albcontrol.

Kreu i Shtetit deklaroi se gjatë takimit me kontrollorët e Albcontrol u ka kërkuar atyre që të mos e ndërpresin punën.

“Prej dhjetë muajsh kontrollorët kanë ngritur shqetësimit e tyre. Ata nënvizonin faktin se të drejtat e tyre ishin cenuar dhe kundërshtonin pezullimin e të drejtave të fituara për një periudhën të pacaktuar. Sipas tyre, prej 10 muajsh nuk kishin marrë asnjë përgjigje nga askush. Unë u kam kërkuar kontrollorëve të vijojnë punën për respekt të qytetarëve tanë që ta kalojmë këtë situatë të vështirë dhe më pas këto të drejta, që janë cenuar padrejtësisht, ju do t’i fitoni”, tha Meta.

Meta tha se ka pasur takim me punonjësit më 31 mars ku ka diskutuar lidhur me pretendimet e tyre dhe cenimin që u janë bërë në kushtet e punës, ku u ka garantuar se situata e tyre do të marrë zgjidhje.

Presidenti Meta i bëri thirrje publike kryeministrit Edi Rama që ulen së bashku dhe t’i japin zgjidhje situatës. Sipas Metës, ky tension është artificial, dhe në këto rrethana nuk i shërben sigurisë kombëtare të Shqipërisë.

“Shpreh keqardhjen për veprimin e kontrollorëve. Kryeministri t’i thërrasë mendjes, sepse nuk mund të bëhen lojëra të tilla në një moment të tillë dhe nuk jemi në Amerikën Latine këtu. Ftoj kryeministrin, ftoj ministren, ftoj sindikatën, ftojmë edhe përfaqësues të vendeve të NATO-s, SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE-së, që të zhvillojmë një bisedë dhe t’i japim një zgjidhje sa më të arsyeshme dhe të logjikshme kësaj situate. Ky tension është artificial, është marrëzi”, tha Meta.