Ekonomi Bordi i Administrimit të Karburanteve rrit çmimin e naftës në 245 lekë...

Bordi i Administrimit të Karburanteve rrit çmimin e naftës në 245 lekë për litër

Bordi i Administrimit të Karburanteve rrit çmimin e naftës nga 233 lekë 245 lekë për litër nga data 26 Mars deri në 1 Prill.

Çmimi i benzinës mbetet në të njëjtin nivel 218 lekë për litër dhe çmimi i gazit rritet në 110 lekë për litër.

Sipas njoftimit, çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 25 Mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

  1. Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/litër për periudhën 26 mars- 1 prill 2022.
  2. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars – 1 prill 2022, të  jetë 245  lekë/litri.
  3. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 26 mars- 1 prill 2022,  të  jetë 218  lekë/litri.
  4. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022, të jetë  110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litri.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 26 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e premte, datë 1.04.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.