Kryesore Borrell: Shqipëria është një aleat, nuk mund ta themi këtë për të...

Borrell: Shqipëria është një aleat, nuk mund ta themi këtë për të gjitha vendet e rajonit

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, vlerësoi Shqipërinë për punën e bërë deri tani në kuadër të integrimit europian.

“Shqipëria është një partner kyç dhe aleat në rajon. Ka treguar përkushtim në procesin e integrimin dhe këtë nuk mund ta themi këtë për të gjitha vendet e rajonit”, tha zyrtari i BE, pas mbylljes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Ai shtoi: “Mezi po presim për zhvillimin e konferencës ndërqeveritare, sa më shpejt të jetë e mundur”. Por theksoi gjithashtu “nevojën që listat e kandidatëve të përbëhen nga njerëz me identitet”.

“Integrimi europian duhet të jetë një objektiv kombëtar. Polarizimi i tepërt nuk është shenjë e pjekurisë politike”, u shpreh Borrell.

Akuzat për blerje vote, Borrell: Duhet shpejtësi në hetim

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, u shpreh se akuzat për shkelje zgjedhore duhen hetuar sa më shpejt të jetë e mundur.

“Raporti i fundit i Komisionit për Shqipërinë ka theksuar se duhen hetuar shpejt akuzat për shkelje zgjedhore. Nisja e proceseve gjyqësore për blerje vote është nga ato çështje që duhet reflektuar në kuadër të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë”, tha Borrell.

Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, theksoi nga ana e tij se zgjedhjet e 25 prillit janë përgatitur mirë: “Ne po i afrohemi zgjedhjeve që janë përgatitur në mënyrë mjaft tërësore. Kemi patur marrëveshje mes partive parlamentare dhe jashtëparlamentare për Reformën Zgjedhore. Kjo sjell garanci sa u takon parregullsive në procesin e votimit. Kjo reformë është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Më pas, u vijua me opinionin e Komisionit të Venecias. Së treti, pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhje. Ata janë ftuar, por, për shkak të pandemisë, nuk është detyrë e lehtë kjo gjë, por do të bëjmë maksimumin që të jenë të pranishëm. Me këto elementë, ka garanci të mjaftueshme në sistem. Ne duam që ligji të zbatohet plotësisht”.

Varhelyi shtoi se “Shqipëria po bën progres të qëndrueshëm dhe tani duhet të shohim emërimet dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Konstatimi ynë është që Shqipëria i ka përmbushur kushtet. Do të jemi në kontakt me vendet anëtare që të zhvillohet sa më parë konferenca e parë ndërqeveritare. Por, në këtë kohë pandemie, mund të ketë vonesa të caktuara, pasi duhen zhvilluar takime fizike”.