Kryesore Çfarë arritjeje për Kroacinë, eliminon Brazilin dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Botërorit

Çfarë arritjeje për Kroacinë, eliminon Brazilin dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Botërorit

Kroacia është gjysmëfinalistja e parë e Botërorit. Kroatët kanë eliminuar me penallti Brazilin favorit. Seleçao zhvilloi një ndeshje të mirë me shumë raste, por Livakovic i priti të gjitha, sidomos tentativat Neymar dhe Paquetà. Emocione pa fund në një ndeshje ku dy golat e vetëm u shënuan në shtesën 30 minutëshe.

Ndeshja

Pjesa e parë u dominua në pjesën më të madhe nga kroatët, të cilët përtej rasteve nuk ia dolën të gjenin rrugën drejt rrjetës.

Ndërkohë që fraksioni i dytë foli më shumë me brazilianët, që rrezikuan në raste të shumta portën e Livakovic, me portierin kroat që ia doli të ruante balancën.

Me kohën e rregullt që u mbyll me barazim pa gola, Brazili vijoi të sulmonte pa ndalur portën e Kroacisë dhe Neymar mundi që të shënonte dhe t’i dhuronte avantazhin ekipit të tij në minutën e 106’.

Megjithatë kroatët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 117’ gjetën golin e barazimit me Petkovic, i cili e çoi sfidën te penalltitë, ku u vulos që Kroacia është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Botës, Katar 2022.