Opinione Çfarë fshihet pas tërheqjes së Edi Ramës nga Kavaja?

Çfarë fshihet pas tërheqjes së Edi Ramës nga Kavaja?

Bedri Islami

Edi Rama bëri një ndër lëvizjet më të papritura të jetës së tij politike, lajmëroi se Partia Socialiste tërhiqet nga zgjedhjet vendore në Kavajë dhe për këtë i drejtohet edhe kandidatit të saj, i cili, si të tjerët, e mësoi këtë tërheqje vetëm nga mediat.

Ka disa javë, por sidomos ditët e fundit, që qyteti i Kavajës ishte bërë nyja e politikës, dhe kjo nyje pritej të zgjidhej: nga njëra anë me shpatë dhe nga ana tjetër me mendje. Si të gjitha nyjet e kësaj bote, aq më tepër të kësaj natyre.

Më 7 maj në këtë qytet, dikur qendër e demokratëve dhe më pas e kthyer në drejtimin tjetër politik, atë të së majtës, do të zhvilloheshin zgjedhjet vendore, të propaganduara me forcë nga shefi i qeverisë si një proces i domosdoshëm dhe kushtetues.

Nga ana tjetër, opozita, megjithëse kësaj here jo e bashkuar, kishte paralajmëruar provën e saj të madhe që, përmes shembullit të Kavajës, të bënte të pamundur zgjedhjet e 18 qershorit, që është nyja e madhe e politikës shqiptare. Dhe jo vetëm e politikës. Është dita kur do të ishin ndeshur dhe kanë shans ende të ndeshen dy botëkuptime, njëri evro-perëndimor, ku është pjesë shumica e sotme qeverisëse dhe, duhet thënë, botëkuptimi sllavo-bizantin i një opozite që kishte lindur për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, por që në fakt e bëri si Mali me Gropa.

Tani, si duket zgjedhje në Kavajë nuk do të ketë.

Përse ndodhi tërheqja e Edi Ramës? Ishte shenjë frike apo një dëshmi mençurie politike?

Shumë socialistë janë të zhgënjyer me të, sidomos kësaj here, kur të gjitha anketimet dëshmonin se në Kavajë zgjedhjet nuk mund të prisheshin. Do të jenë të zemëruar pasi u duket se kanë humbur shumë nga vetja pikërisht nga tërheqja. Ai që tërhiqet, ai humb, – ky është perceptimi i parë.

Ka pasur një rast madhor të tërheqjes edhe nga Berisha, kur pas 21 janarit deklaroi se do të bënte një antimiting, por nga i cili u tërhoq pas ndërhyrjes së ish-ambasadorit amerikan Arvizu, që vrapoi ta quajë Berishën “burrë shteti”.

Le ta lëmë lajmin e dhënë se opozita kishte ndër mend të digjte Bashkinë e Kavajës, të pengonte zgjedhjet, të krijonte dhunë dhe të destabilizonte një pjesë të vendit për të shkuar në destabilizimin e të gjithë Shqipërisë. Kjo është një ëndërr e vjetër berishiste, e provuar disa herë, që krejt natyrshëm mund të mendohej se ishte planifikuar edhe për ditën e 7 majit.

A qëndrojnë pas vendimit të Edi Ramës disa arsye të njohura e të panjohura, por që, ndërsa sot nuk duken mirë, në ditët e ardhshme do të jenë të kuptueshme?

Në fakt, ka disa kohë që shërbimet e inteligjencës evropiane kanë sinjalizuar që vendi ynë mund të shkojë drejt destabilizimit dhe indicet e kohëve të fundit në trevat ballkanike dëshmojnë se jo rastësisht, në të njëjtën kohë, në trevat shqiptare, ka anomali politike të përmasave të ndjeshme.

Nga këto shërbime shefi i qeverisë është krejt e mundur të ketë informacionet e sakta se dita e 7 majit mund të ishte një përsëritje e ditës së 21 janarit, kur për më tepër, njeriu që kishte dashur të akuzonte demonstruesit në janar se kishin vrarë njëri tjetrin, mund të kishte një skenar të tillë, krejt të gatshëm, edhe për 7 majin.

Njerëzit e dërguar nga opozita për të përgatitur demonstrimin e forcës në 7 maj përgjithësisht janë figura të njohura për radikalizmin e tyre politik e jo vetëm politik, por edhe që kanë lidhje me struktura jashtë shtetërore gjysmëmilitare. Se çfarë do të përgatitnin në Kavajë një grupim i tillë në Kavajë, që mbahej aq e fshehtë, kjo nuk është e vështirë të merret me mend.

Rama është ndodhur nën tre presione: atë ndërkombëtar, për të dhënë një shenjë durimi dhe mos hapjen e një porte nga e cila do të vërshonte dhuna dhe dhunëtarët; nga vetë mazhoranca e tashme, që përbëhet nga dy pjesë dhe që kërkon të ketë edhe ndonjë rrugë tjetër për të zgjedhur problemet dhe e treta, ndoshta më realja, nga maturia njerëzore që të mos ndodhin në Kavajë ngjarje të tilla, ku emri i shefit të qeverisë të njësohet me vrasjet, si ndodhi me 21 janar me Berishën dhe Bashën.

Rama zgjodhi tërheqjen nga një proces ku mund të fitonte lehtë, por nga ku mund të humbisnin njerëzit. Ndoshta kjo ishte rruga më e drejtë në këtë moment, megjithëse nuk është një rrugë e pëlqyer.

Të ketë pasur frikë apo të jetë edhe një dëshmi e mendimit të saktë politik?

Para tij është prova e së vërtetës: 18 qershori.

Nëse edhe këtu do të ketë tërheqje, qeveri teknike, dorëzim pushteti që nuk është i tij, marrje me ledha një opozita që sa herë e përkëdhel hedh shqelma dhe sa herë i tregon ligjin ul bishtin etj. etj., atëherë edhe Kavaja do të jetë një njollë në jetën e tij politike.

Nëse do të qëndrojë sipas të gjitha rrjedhave të tashme, atëherë edhe socialistët më të zemëruar me të do e kuptojnë të vërtetën se ishte një tërheqje e duhur, e mençur, e cila, aq sa rregullon frymëmarrjen, aq edhe ua heq nga duart shkopinjtë që kishin përgatitur për të dëshmuar “vlerat” e një republike të re.

Një burrë shteti, edhe kur tërhiqet, lë pas vetes shenjën e së ardhmes.

Një burrë shteti nuk mund të humbë kurrë cilësinë pa të cilën nuk mund të qeveriset – ndjenjën e së mundshmes.

Do të ndodhë kështu?

Koha është dëshmuese.

DITA