Bota Çfarë ndodh aplikimit për anëtarësim në BE: Pse rasti i Kosovës është...

Çfarë ndodh aplikimit për anëtarësim në BE: Pse rasti i Kosovës është i ndërlikuar

Kosova ka synuar t’i bashkohet organizatave perëndimore që kur ka shpallur pavarësinë më 2008. Por shpërthimi i luftës në Ukrainë i ka dhënë zgjerimit një shtysë të re. Pasi Ukraina dhe Moldavia morën statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE këtë veri, e pasi u dha drita jeshile edhe për Bosnje-Hercegovinën. Kosova mbeti vendi i vetëm në rajon, pa perspektivë të qartë europiane.

Por çfarë ndodh pas aplikimit për anëtarësim?

Rasti i Kosovës është konsideruar “sui generis”, pasi është i vetmi vend që aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtarë. 5 shtete; Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, nuk e njohin pavarësinë. Megjithatë sipas traktatit të BE, secili shtet europian mund të aplikojë për anëtarësim në bllok.

Pas dorëzimit të kërkesës te vendi që mban presidencën e radhës, informohen 26 shtetet e tjera, për këtë vendim. Kjo pritet të ndodhë javën e ardhshme, në një takim të ambasadorëve të BE. Nga 1 janari, Suedia merr presidencën e unionit. Nën kryesimin e saj, do të zhvillohen konsultimet mes shteteve të bllokut, veçanërisht ato që nuk e njohin pavarësinë.

Këshilli mund të marrë vendime se si do të procedohet gjatë presidencës suedeze, pasi më vonë drejtimin e merr Spanja, e cila si vend mosnjohës mund të ketë pak dëshirë për të trajtuar çështjen. Gjërat mund të përshpejtohen edhe nga fakti se në vitin 2024 mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe çështja e Kosovës mund të kalojë në arkivë.

Ka gjasë që kërkesa për aplikim t’i dërgohet Komisionit Europian për të përgatitur një opinion lidhur me çështjen. Por që kërkesa të kalojë për shqyrtim te Komisioni, duhet që të 27 vendet anëtare të thonë po. Edhe nëse kjo ndodh, do të duheshin vite deri në hartimin e raportit, pasi rasti është unik dhe i ndërlikuar.