Sport Çfarë po ndodh me Piatek? Tani edhe “San Siro” nuk e fal...

Çfarë po ndodh me Piatek? Tani edhe “San Siro” nuk e fal më

Vetëm 3 gola të shënuar, nga të cilat 2 me penallti dhe 1 me aksion. 13 ndeshje të zhvilluara dhe një mesatare prej 1 goli çdo 4 ndeshje. Ku ka përfunduar pistoleta polake, ose ai që Gattuso quante “robocop”, pra Krzysztof Piatek? Sulmuesi është në krizë identiteti. Ajo që dallohet është që jo vetëm tashmë nuk e sheh më portën kundërshtare si sezonin e shkuar, por edhe topat nuk di ti ulë më, gabon pasime në distancë të shkurtër, e ka të vështirë të dyluftojë dhe humbet topin në kontaktin e parë me kundërshtarin.

Për të parën herë që kur ka ardhur sezonin e shkuar, në janar, Piatek është vërshëllyer edhe nga publiku i tij, “San Siro”, kur u zëvendësua me Leaon 5 minuta nga fundi i ndeshjes me Napolin. Pikërisht Napoli, skuadra ku “pistoleta” debutoi titullar në “San Siro” në Kupë Italie dikur dhe shënoi dy gola fantastikë…

Në këtë periudhë të kampionatit, sezonin e shkuar kishte shënuar 10 gola. Sakaq, Stefano Pioli, trajneri i Milanit vazhdon ta mbrojë: “U mundua shumë dhe luajti për ekipin. Duhet të bëjë edhe një sforco të fundit për të gjetur golin dhe jam i bindur se do të vijë”.