Sport Claudio Lotito: Si ia besova Lazion, Igli Tares

Claudio Lotito: Si ia besova Lazion, Igli Tares

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito ekskluzivisht për gazetaren e Rtv Ora, Alba Kepi ka sqaruar rolin e drejtorit sportiv, Igli Tare në vlerën e lojtarëve që zotëron sot kjo skuadër, si dhe peripecitë e menaxhimit të klubit.

Pse i besuat projektin e Lazios, Igli Tares?

“Igli Tares i kisha premtuar se do i kisha rinovuar kontratën si futbollist. Igli erdhi në zyrën time së bashku me prokurorin e tij. I komunikova se kontratën nuk do ia rinovoj.

Igli është një njeri që të bardhën e quan të bardhë dhe të zezën të zezë. Nuk ka zona të errëta dhe ngjyra gri. Në fillim u zemërua. I thashë se për të kam një ide, ku do i besoja postin e drejtorit sportiv. Ke gjysmë ore kohe për t’u konsultuar me prokurorin e tënd dhe më pas pranoi. Unë e kisha kuptuar se ai kishte aftësi mjaft të mira menaxheriale dhe me kohën u përmirësuan. U poqën siç na ndodh të gjithë sipas eksperiencave që na ndodhin në jetë. E kisha kuptuar se Igli kishte karakteristikat e veçanta për ta bërë këtë detyrë. Tare është një njeri që punon, një njeri transparent, një njeri mjaft i mirë me të cilin kam një raport miqësie. Nuk duhet të harrojmë se në futboll fitojnë të gjithë dhe po ashtu edhe humbasin të gjithë.

Është pak të themi se merita është e Lotitos. Merita është e Tares, merita është e trajnerit. Merita është e të gjithëve dhe po ashtu edhe mosmerita është e të gjithëve. Kur Lazio humb faji është edhe i imi edhe pse unë nuk zbres në fushë të luaj. Faji është edhe i imi që nuk kam krijuar kushtet që skuadra të fitojë. Futbolli është një forcë grupi dhe në të vlen rregulli i grupit. Pra Igli Tare është një person që ka një vlerë të shtuar brenda këtij grupi.

Cila është vlera aktuale e Lazios dhe në çfarë kushtesh e mori 15 vite më parë Claudio Lotito?

“Sot skuadra e Lazios ka një vlerë të patundshme prej 200 milionë euro. Një pasuri lojtarësh me vlerë 600 milionë euro. Unë në këtë skuadër kam bërë një investim ekonomik, sportiv dhe moral e këtë gjë e dëshmojnë faktet dhe jo unë si president. Kur hyra në botën e sportit, klubi i Lazios kishte këtë fotografi. Faturonte 84 milionë euro dhe humbiste 86.5 milionë euro me një borxh prej 550 milionë euro. Pra teknikisht ishte një kompani e falimentuar. Unë hyra duke investuar 25 milionë euro dhe kisha 21% të aksioneve të saj dhe tashmë kam mbi 67 % të saj”.