Ekonomi Çmimet e larta të kafesë mund të dëmtojnë bizneset e kafeneve në...

Çmimet e larta të kafesë mund të dëmtojnë bizneset e kafeneve në Europë

Konsumatorët, kafenetë dhe restorantet në Europë po përballen me një rritje të çmimeve të kafesë. Ekspertët sugjerojnë se situata nuk do të ndryshojë për mirë në të ardhmen e afërt, madje ajo mund të përkeqësohet.

Gjatë muajve të fundit, çmimet e kafesë janë rritur në të gjithë Europën.

Megjithëse shumë kafene në Berlin nuk i kanë rritur çmimet deri më tani, ato nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ta bëjnë këtë gjë. Shumica e kafeneve në kryeqytetin gjerman kanë pasur ulje të fitimeve të tyre në kohët e fundit.

Ndryshimet e mëdha klimatike dhe rritja e kërkesës, së bashku me zhvillimet gjeopolitike dhe problemet logjistike të shkaktuara nga pandemia, kanë sjellë çmime më të larta për shitjet me shumicë gjatë dy viteve të fundit. Çmimet e larta të energjisë dhe rritja e kostove të transportit me 100% përgjatë 12 muajve të fundit kanë shtuar presionet inflacioniste.

“Kafja tregtohej me 0,85 dollarë për paund në maj të vitit 2019, niveli më i ulët që nga viti 2004. Në fund të vitit, çmimi u rrit në 1,25 dollarë”, tha Jordan Montgomery, menaxher marketingu në Fjord Coffee Roasters Berlin. “Ngricat e forta në Brazil, i cili është prodhuesi kryesor në botë, ndodhën në korrik të vitit 2021. Dy netë të vështira bënë që çmimet të arrinin në 2.50 dollarë. Ato shkuan në 2.60 dollarë në korrik të vitit 2022, përpara se të binin në 2.16 dollarë në gusht.”

Çmimet për kontratat e së ardhmes dhe shitjen e kafesë Arabica përcaktohen nga Exchange Intercontinental (ICE) në Nju Jork. Çmimi i vendosur nga ICE, i njohur si ‘Çmimi C”, përcakton çmimet mesatare globale për kafenë Arabica

Kafenetë në Europë

Meqenëse çmimi i kafesë matet në dollarë, dobësimi i euros dhe i jenit mund të dëmtojnë konsumin në Europë dhe në Japoni, tha për DW një tregtar nga Londra.

Bizneset në Gjermani ankohen gjithashtu për taksat shtesë, për mungesën e stafit dhe për rritjen e kostove të sigurimit.

“Këta faktorë na detyruan që t’i kalojmë disa nga kostot tona te klientët dhe na bënë që të kemi fitime më të ulëta për disa produkte. Rritja mesatare përgjatë 12 muajve të fundit ka qenë rreth 6%,” tha Montgomery.

Ai shtoi se fabrikat e pjekjes së kafesë kishin arritur të përballonin çmimet e larta deri më tani, veçanërisht gjatë pandemisë, duke ia kaluar koston konsumatorëve që porosisin online. Por, për kafenetë nuk është kështu. Ato mbeten më të prekurat, edhe për shkak të kostove më të larta të stafit dhe të qerave. Në tetor, paga minimale në Gjermani do të arrijë në 12 euro (11,90 dollarë) për orë pune.

Një çmim i drejtë?

Disa ekspertë sugjerojnë që një filxhan kafe në një kafene të Europës duhet të kushtojë 5-6 euro, veçanërisht në Gjermani, ku ka mbetur në fuqi akoma një taksë e shekullit të 17-të për kafenë e pjekur. “Nga një kilogram kafe të pjekur që shitet në tregun gjerman, 2,19 euro i shkojnë shtetit”, tha Montgomery. Belgjika, Danimarka, Greqia, Lituania dhe Norvegjia janë të vetmet vende europiane që aplikojnë një taksë të ngjashme me Gjermaninë.

Nicole Battefeld, kampionia gjermane e kafesë dhe një konkurrente në Kampionatin Botëror të Kafesë në shtator, tha se kafeja gjithashtu duhet të jetë më e shtrenjtë në supermarkete – të paktën 20 euro për kilogram.

“Në Gjermani, shpesh, çmimi për një kilogram nuk është më shumë se 8 euro – ne thjesht po u heqim fermerëve koston e investimeve. Kjo ngjason me një tjetër formë të kolonializmit. Asnjëherë nuk e kemi kuptuar plotësisht se sa shumë punë nevojitet për këtë.”

Battefeld tha se kafeja e tregtuar me një çmim të drejtë, me kontrata që ofrojnë 1,36 dollarë për një paund për fermerët, është vetëm një zgjidhje e pjesshme.

“Ky çmim i drejtë ndihmon në ruajtjen e kushteve të jetesës, por shpesh heq mundësinë për të investuar te fermat dhe për t’i modernizuar ato,” tha ajo. “Kjo i ndihmon fermerët kur prodhimi i tyre nuk është i një cilësie tepër të lartë, por, në rastet kur prodhimi është realisht i një cilësie të lartë, këto kontrata i kufizojnë fermerët, pasi ato nuk mund të vendosin çmime më të shtrenjta.”/ DW