Sport Conte: Pse dua të rikthehem në Angli

Conte: Pse dua të rikthehem në Angli

Antonio Conte e mori drejtimin e Interit në vitin 2019, pas një periudhe të gjatë diskutimesh për të ardhmen e tij. Trajneri nga Salento, në sezonin e tij të parë si zikaltër, mundi ta kthente ekipin në garën për titullin e Serisë A, por në fund ishte sërish Juvja ekipi që ngriti trofeun. Edhe pse nuk munguan polemikat dhe dyshimet për të ardhmen, në fund 51-vjeçari mbeti në Milano, për ta tentuar sërish “scudetton”.

Sigurisht që Conte është i përqendruar totalisht tek Interi, por herët a vonë, sikurse e pranon në intervistën e dhënë për “Telegraf”, dëshiron të tentojë përsëri lavdinë në kampionatin anglez, ku ka mundur të festojë titullin e Premier League-s në krye të Chelsea-t.

“Unë patjetër që do të kthehem në Angli, sepse dua të kem një përvojë tjetër në Premier. Kam kaluar një kohë të shkëlqyeshme atje dhe më ka pëlqyer atmosfera. Do të doja të kisha një përvojë tjetër në Angli, për veten dhe familjen time.”

Tani, gjithsesi, është i përqendruar tek e tashmja. I mposhtur në finalen e Europa League-s dhe i dyti në Serinë A në vitin e parë si trajneri zikaltër, Conte beson tek Interi i tij.

“Jemi në fillim të projektit. Po krijojmë bazat për t’i dhënë këtij klubi mundësinë për të qëndruar në nivelin më të lartë dhe për të qenë konkurrues, në mënyrë që të përpiqemi të fitojmë diçka çdo vit”.

Flitet shpesh për një largim të mundshëm të Contes nga Interi, por nëse dëgjon vetë trajnerin, duket se nuk ekziston një mundësi e tillë.

“Sinqerisht, dua ta vazhdoj këtë projekt dhe të qëndroj për shumë vite. Përveç kësaj, kam edhe një vit kontratë. Kam filluar një projekt këtu, vitin e kaluar kemi bërë diçka të mahnitshme.”

Për Conten vetëm një gjë thelbësore: koha në dispozicion.

“Mbërrita tek Interi 10 vite pasi klubi kishte fituar trofetë e fundit, kjo do të thotë që duhet të ndryshosh shumë gjëra dhe duhet të kesh kohë për ta bërë këtë atë.”