Bota Të burgosurit paguhen dy dollarë në orë për të ndihmuar me viktimat...

Të burgosurit paguhen dy dollarë në orë për të ndihmuar me viktimat e koronavirusit

Një nga pikat më të nxehta të përhapjes së koronavirusit në Teksas është Konteja e El Pasos. Dhe për të përballuar numrin e madh të viktimave dhe dhënien e lamtumirës së fundit, autoritetet e shërbimeve funerale kanë punësuar të burgosurit.

Nëntë të burgosur që qëndrojnë në burgun e kontesë kanë pranuar ta bëjnë këtë punë, për një pagesë prej 2 dollarësh në orë. Puna e tyre është transportimi i trupave të viktimave të Covid-19 në godinën kryesore të morgut, por edhe në makina frigoriferike, ku trupat ruhen përkohësisht.

Gjykatësi i kontesë, Ricardo Samaniego, tha për partnerin e CNN në El Paso, KVIA, se të burgosurit “po i jepnin një dorë” stafit të mbingarkuar. Të burgosurit janë të gjithë të dënuar për vepra jo të rënda dhe punojnë për 8 orë në ditë, të pajisur me veshje mbrojtëse. Gjykatësi tha se kjo është një zgjidhje e përkohëshme, pasi ata do të zëvendësohen nga Roja Kombëtare e Teksasit.

Që prej muajit mars, në El Paso kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 75 mijë persona, me thuajse 1000 raste të reja çdo ditë që prej fillimit të nëntorit. Por, numri i lartë i viktimave ka bërë që trupat të ruhen në makina frigoriferike pasi në morg nuk ka më vend.