Bota Covid-19 në Europë: Shifra të qëndrueshme në Itali, Franca mendon t’i mbyllë...

Covid-19 në Europë: Shifra të qëndrueshme në Itali, Franca mendon t’i mbyllë kufijtë Spanjës

14 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali në 24 orët e fundit, 3 më shumë sesa një ditë më parë. Ministria e Shëndetësisë në Itali raportoi edhe një rritje të lehtë të numrit të rasteve të reja, 249 (të premten ishin 237), por edhe të të shëruarve (323). Nga 12 368 rastet aktive në Itali, vetëm 757 pacientë janë të shtruar në spital, prej tyre 50 në terapi intensive, ndërsa pjesa tjetër janë në vetizolim në shtëpi.

Në Europë situata nuk duket edhe aq e qetë, pasi Spanja raportoi 628 raste të reja në 24 orët e fundit, shifra më e lartë që prej 8 majit. Shifrat spanjolle kanë vënë në lëvizje edhe Francën, e cila, sipas mediave atje, po mendon të mbyllë kufijtë me shtetin Iberik.

Situatë jo e mirë edhe në Rumani, ku u regjistruan 889 raste të reja në 24 orët e fundit, rekord për shtetin ballkanas. Për këtë arsye, politikanët në vend kanë rikthyer hipotezën e një izolimi të ri, edhe pse të vetëdijshëm që do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë.

Ndërkaq, qeveria britanike ka ndërprerë përllogaritjet ditore të viktimave të Covid-19, për shkak se metodologjia e përdorur do të rishikohet. “Momentalisht numri i viktimave matet duke llogaritur personat që kanë dalë pozitiv dhe më pas kanë humbur jetën, pa marrë parasysh datën e testimit dhe të vdekjes”, thuhet në faqen në internet të Departamentit të Shëndetësisë. “Ka pasur pretendime se ky fakt mund të ketë shtrembëruar numrin ditor të viktimave”.