Bota Daktilografiste në një kamp nazist, 97-vjeçarja shpallet fajtore për bashkëpunim në 10.500...

Daktilografiste në një kamp nazist, 97-vjeçarja shpallet fajtore për bashkëpunim në 10.500 vrasje

Një 97-vjeçare, e cila punonte për komandantin e një kampi nazist përqendrimi, është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10.505 personave.

Irmgard Furchner, nisi të punonte si daktilografiste në Stutthof kur ishte adoleshente dhe qëndroi aty nga viti 1943 deri në vitin 1945.

Furchner-it, e cila është një nga gratë e pakta që gjykohet për krime naziste në dekada, u dënua me dy vite burg me kusht. Edhe pse ishte punonjëse civile, gjykatësi pranoi se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp.

Rreth 65.000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte çnjerëzore në Stutthof, duke përfshirë të burgosur hebrenj, polakë johebrenj dhe ushtarë të kapur sovjetikë.

Në Stutthof-in e vendosur pranë qytetit modern polak të Gdanskut, u përdorën një sërë metodash për të vrarë të burgosurit dhe mijëra vdiqën në dhomat e tij të gazit që nga qershori i vitit 1944.

Kur filloi gjyqi në shtator 2021, Irmgard Furchner ia mbathi nga shtëpia e të moshuarve ku strehohej dhe u gjet nga policia në një rrugë në Hamburg.

Komandanti i Stutthof, Paul-Werner Hoppe u burgos në vitin 1955 dhe u lirua pesë vjet më vonë.

Një seri ndjekjesh penale janë zhvilluar në Gjermani që nga viti 2011, pasi dënimi i ish-rojes së kampit nazist, John Demjanjuk, krijoi precedentin se të qenit roje ishte provë e mjaftueshme për të provuar bashkëpunimin.

Ky vendim nënkuptonte gjithashtu se punonjësja civile Furchner mund të dilte në gjyq, pasi ajo punonte drejtpërdrejt me komandantin e kampit, duke u marrë me korrespondencën rreth të burgosurve të Stutthof-it.