Sport Dëmtohet Strakosha, debutimi në Premier League shtyhet për vitin e ardhshëm

Dëmtohet Strakosha, debutimi në Premier League shtyhet për vitin e ardhshëm

Thomas Strakosha i pafat në aventurën angleze. Portieri kuqezi u transferua gjatë verës nga Lacio te Brentford, por ende nuk ka arritur të debutojë në Premier League.

Sikur kjo të mos mjaftonte, tashmë ai ka pësuar një dëmtim serioz gjatë stërvitjes. Teksa po ushtrohej me shokët e ekipit për penalltitë, 27-vjeçari lëndoi ligamentet e kaviljes.

Dëmtimi duket serioz, e pavarësisht faktit se ende nuk ka një afat të saktë për rikuperimin, Strakosha rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy muaj.

Portieri pritet të rikuperohet në fillim të vitit 2023, teksa do të humbasë miqësoren me Arabinë Saudite, por edhe testin e luksit me Italinë në muajin nëntor.

Strakosha nuk ka debutuar ende në Premier League, ku u transferua si lojtar i lirë verën e kaluar, pasi i kishte përfunduar kontrata me Lazion.

Strakosha ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar me Brentford, edhe atë në Carabao Cup, ku ia doli të mbajë portën të paprekur, ndërsa për debutimin në kampionat do të duhet të presë vitin e ardhshëm.