Bota Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i Marigona Osmanit, 15 vite për...

Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i Marigona Osmanit, 15 vite për bashkëpunëtorin

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, ndërsa për bashkëpunëtorin Arbër Sejdiu u dha dënimi prej 15 vitesh burgim.

Dy të akuzuarit  u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, ka paralajmëruar ankesë, sepse, siç ka thënë, edhe akuzuari i dytë meriton burgim të përjetshëm.

“Vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatur 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë”, tha ai.

Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht 2021, kur Dardan Krivaqa  rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se e kanë vrarë Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur dhunën.

Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.