Aktualitet Dëshmitarët e Jehovait të indinjuar: Familja Josifi nuk ishte pjesë e Organizatës...

Dëshmitarët e Jehovait të indinjuar: Familja Josifi nuk ishte pjesë e Organizatës tonë, ne e duam jetën

“Dëshmitarët e Jehovait” kanë mohuar lidhjen e vdekjes tragjike të nënë e bijë në Kombinat me këtë organizatë fetare.

Në një deklaratë për mediat, “Dëshmitarët e Jehovait” se informacioni i përhapur në media se anëtarët e familjes Josifi ishin pjesë e këtij sekti fetar, është tejet shqetësues dhe jo i vërtetë.

Madje sipas Dëshmitarëve të Jehovait, familja Josifi, jo vetëm që nuk ishte pjesë e tyre, por as që janë shoqëruar ndonjëherë me anëtarët e kësaj organizate.

Zëdhënësi për mediat Arben Lubonja shton se organizata ndjehet e fyer që kjo ngjarje po lidhet  pikërisht me sektin e tyre fetar.

“Dëshmitarët e Jehovait kanë pikëpamjen e Zotit për jetën dhe e çmojnë atë si gjënë më të shtrenjte. Vetëvrasja me pretendimin për të shkuar në një jetë më të mirë nuk përputhet në asnjë mënyrë me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Por në një kohë që “Dëshmitarët e Jehovait” thonë se dy motrat Josifi dhe nëna e tyre nuk kanë qenë të regjistruara në këtë organizate, të dhënat nga të afërm të familjes dhe rrëfimi i parë i të mbijetuarës para policisë tregojnë se viktimat dhe vajza që mbijetoi besonin tek ringjallja.

Pjesa tjetër e kronikës është një horror i vërtetë, pasi Anisa Josifi 30-vjeçe dyshohet se kishte vdekur prej një kohe të gjatë dhe mbahej brenda në banesë duke u lyer me vaj dhe uthull për të mos u dekompozuar. Më pas ka vdekur nëna e saj Zhaneta Josifi, ndërsa vajza tjetër Blerta u gjet në gjendje të rëndë. Policia dyshon se prej kohësh ato nuk ishin ushqyer ndërsa edhe kontaktet prej muajsh me të afërm dhe komshinjtë i kishin thuajse zero.