Bota Dhunë e paprecedentë në Ekuador, ushtria del në rrugë me tanke

Dhunë e paprecedentë në Ekuador, ushtria del në rrugë me tanke

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Ekuador, ushtria ka zbarkuar në rrugë në disa qytete, ku po regjistrohet dhunë e paprecedentë. Kujtojmë se, persona të armatosur të maskuar sulmuan një studio televizive publike gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në qytetin e Guayaquil dhe shpërthime me bomba u regjistruan në të gjithë Ekuadorin të martën.

Më shumë se 130 punonjës të burgjeve po mbahen peng nga të burgosurit në pesë burgje. Një gjendje e jashtëzakonshme 60-ditore filloi të hënën pasi një gangster famëkeq u zhduk nga qelia e burgut. Është e paqartë nëse sulmi në studion televizive në qytetin më të madh të Ekuadorit lidhej me zhdukjen e bosit të bandës Choneros, Adolfo Macías Villamar ose ‘Fito’, siç njihet më mirë.

Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme si përgjigje ndaj një vale të trazirave të fundit në burg dhe arratisjeve nga burgjet dhe akteve të tjera të dhunës për të cilat autoritetet fajësojnë bandat kriminale. Qeveria urdhëroi që bandat kriminale të “neutralizoheshin” dhe tha se një “konflikt i brendshëm i armatosur” ekzistonte brenda vendit.

Autoritetet sqarojnë se dhuna është një reagim ndaj planit të Presidentit Noboa për të ndërtuar një burg të ri të sigurisë së lartë për krerët e bandave. Presidenti tha të mërkurën se Ekuadori do të fillojë të dëbojë të burgosurit e huaj, veçanërisht kolumbianët, për të zvogëluar numrin e të burgosurve. Esteban Torres Cobo, një zëvendësministër në qeverinë e Presidentit Noboa, tha se lufta kundër bandave të armatosura mund të rezultojë në shumë vdekje dhe viktima.

Disa orë pas sulmeve, Guayaquil ishte si një qytet që zgjohej nga një makth i çuditshëm. Pavarësisht nga përkeqësimi i situatës së sigurisë gjatë viteve të fundit, pakkush mund të priste ta shihte spikerin e kanalit televiziv shtetëror TC që kërcënohej me një armë në kokë, drejtpërdrejt në transmetim.

Sipas mediave ndërkombëtare, policia ka bërë 70 arrestime që nga e hëna, duke përfshirë edhe agresorët e sulmit ndaj stacionit televiziv. Rrugët janë kryesisht bosh. Shumë thonë se situata u kujton atyre jetën gjatë pandemisë Covid.

Qindra ushtarë, përfshirë dhe tanke, po patrullojnë rrugët e Guayaquil dhe kryeqytetit, Quito. Në të gjithë vendin, shkollat janë mbyllur dhe mësimi zhvillohet online. Brenda bizneseve që mbeten të hapura në Guayaquil, rojet e sigurisë private po i mbajnë dyert të mbyllura, ndërsa lejojnë që njerëzit të hyjnë me kujdes.