Kosova Dialogu me Serbinë, Abdixhiku pas takimit me Kurtin: SHBA duhet të jetë...

Dialogu me Serbinë, Abdixhiku pas takimit me Kurtin: SHBA duhet të jetë pjesë me çdo kusht

Pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë. Kështu është shprehur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit që zhvilloi të mërkurën me kryeministrin Albin Kurti.

“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”.

Abdixhiku tha se i kishte kërkuar kërkuar kryeministrit Kurti që të dijë qëndrimin politik të qeverisë për procesin e dialogut.

“Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që ne mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”.

Abdixhiku pohoi se kryeministri ka ndryshuar pozicion për disa tema lidhur me dialogun, përfshirë reciprocitetin.

Kryeministri Albin Kurti po zhvillon takime me krerët e opozitës në kuadër të premtimit për t’u konsultuar me spektrin politik, para takimit të planifikuar me Vuçiç në muajin qershor. Të martën, Kurti u takua me kreun e AAK, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu kërkoi që në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, SHBA-ja të ketë një përfaqësues.