Kulturë Donika Mustafaj: U gëzova kur Besniku më tha se do të hiqte...

Donika Mustafaj: U gëzova kur Besniku më tha se do të hiqte dorë nga politika

Nga Entela Resuli

Donika dhe Besnik Mustafaj kanë 36 vite që i kanë premtuar njëri-tjetrit se do të jenë bashkë në të mirë e në të keqe…

Një javë më parë ata kanë festuar 18 shtatorin, datën që i ka lidhur bashkë. Të dy njerëz të njohur dhe të angazhuar publikisht. Besniku, politikan i spikatur dhe shkrimtar, ndërsa Donika, e angazhuar me televizionin dhe dokumentaret. Jeta e tyre nuk ka qenë vaj nga fillimi deri në fund, por ka qenë e bukur në krah të njëri-tjetrit. Ata janë prindër të dy djemve dhe gjyshër të lumtur gjithashtu.

Nuk ka receta për një martesë të suksesshme dhe secili ka rrugën e tij në jetë, por në këtë intervistë në Dita, Donika Mustafaj tregon rrugën e saj prej 36 vitesh me Besnikun.

Ju festuat 36-vjetorin e martesës javën e kaluar. Do të dëshironim të ndanit me ne disa mendime mbi këtë fazë të jetës, gjëra që keni mësuar ose ato që janë konfirmuar. 36 vite bashkë. Janë shumë. Keni qenë të lumtur?

Mendoj se ne e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. E dimë saktësisht se çfarë i pëlqen ose nuk i pëlqen njëri-tjetrit, pranojmë karakterin e secilit dhe jemi të vetëdijshëm për ëndrrat dhe shpresat e secilit. Kemi një vlerësim të ndërsjellët dhe e tregojmë afeksionin çdo ditë me gjeste të vogla të thjeshta, por domethënëse. Mendoj se lumturia është në gjëra të vogla, kjo është gjithçka. Jemi shumë tolerantë ndaj konflikteve të ndryshme me të cilat përballemi, sepse e dimë shumë mirë se çfarë të bëjmë për t’i zbutur ato. Ne nuk kemi nevojë të rrimë me një makinë llogaritëse në dorë për të llogaritur kush i lau enët apo kush i derdhi plehrat. Ne futemi në punë vetëm sepse ndihemi mirë sëbashku.

A nuk mund të mërzitemi me një person kur ndajmë gjithçka, jetojmë me të për shumë vite? A nuk na mbërthen rutina? A nuk e dobëson kjo dashurinë?

Vitet kalojnë por asnjëra nuk është njësoj: bashkëshorti im evoluon, unë evoluoj. Një çift që evoluon është një çift që mbetet i dëshiruar dhe i gjallë. Një çift që evoluon është gjithashtu një çift që ka një ideal të përbashkët, një vizion të caktuar të qënies njerëzore. Gjithashtu, rrethanat përreth nesh ndryshojnë, ka projekte të reja, sfida të reja, gjëra pozitive, ato negative. Në fund të fundit, rutina e vogël që ekziston, është një gjë mjaft pozitive për mendimin tim, si pikë referimi siguruese!

Po për dashurinë çfarë mund të na thoni?

Kur njoha Besnikun zbulova një shpirt unik dhe u dashurova me të. Mendoj se ishte dashuri dhe jo pasion. Pasioni e idealizon tjetrin, ndërsa unë isha e kthjellët mbi kufijtë dhe papërsosmëritë e Besnikut. Nuk e pëlqeva atë për bukurinë, forcën, inteligjencën… sepse mund t’i gjeja edhe tek njerëz të tjerë. Por ajo që e bëri unike ishte se ishte i pazëvendësueshëm për mua. Dashuria ime ishte e vërtetë sepse isha në gjendje të zgjedhja nga të gjithë njerëzit personin që vazhdoj ta dua, edhe nëse do të zvogëlohej nga humbja e aftësive të tij ose nga plakja. Sot jam në gjendje të them “faleminderit që ekziston”.

E dimë që fluturat në bark pas njohjes zgjasin pak. Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie, çfarë ndodh më pas?

Pas pasionit vjen dhembshuria, në kuptimin etimologjik të njohjes se si të vuajmë dhe të durojmë së bashku. Duhen shumë vite të jetës së bashku për të bërë një çift të vërtetë: dashuria në pamje të parë nuk është garanci e suksesit martesor. Mendoj se ia kam dalë mbanë në jetën time bashkëshortore sepse kam ditur të jetoj me të tjerët dhe për të tjerët. Jam empatike dhe kam një lehtësi për të ndjerë dhe kuptuar zemrat e të tjerëve, për të vendosur lidhje reciproke. Jam gjithashtu një njeri që pranoj përgjegjësi. Të dish të merresh vesh me tjetrin është çelësi. Të duash në thelb është të mirëkuptosh. Për mua e rëndësishme nuk ishte të gjeja bashkëshortin ideal, por të punoja për t’u bërë vetvetja për të. E dija që kur isha fëmijë se asgjë nuk është më e mrekullueshme se sa të jesh në gjendje të duash një grua apo një burrë të vetëm. Kjo siguri e fortë ishte ngulitur tek unë. Në modelin e përditshëm të prindërve të mi lexoja harmoninë e burrit dhe gruas. Nëna ime më mësonte rolin si grua e ardhshme. Babai e donte shumë nënën time. Dhe kjo ishte lumturia më e madhe për ne fëmijët.

Sa i rëndësishëm është seksi në këtë moshë?

Seksi është i rëndësishëm sepse tregon dëshirën e tjetrit për veten dhe është e rëndësishme të dish se je ende e dëshiruar ndërsa plakesh.

Ndoshta për këtë pjesë nuk ka receta, po për ju, cili ka qenë sekreti i një martese të gjatë?

Unë mendoj se nuk ka ndonjë recetë mrekullie, as sekrete. Sidoqoftë, unë e Besniku kemi një numër të caktuar pikash të përbashkëta: I pari është tjetri! Secili nga ne i kushton më shumë rëndësi tjetrit sesa vetes. Qëllimi ynë është para së gjithash ta bëjmë tjetrin të lumtur. Përveç dashurisë, ne kemi një dashamirësi të madhe për tjetrin në të gjitha veprimet e përditshme, ne shmangim çdo gjë që mund ta dëmtojë ose poshtërojë. Unë jam e shpejtë në çdo veprim, ndërsa Besniku është i ngadaltë. Por jemi të durueshëm me tjetrin, pranojmë ritmin e secilit. Kemi besim tek njëri-tjetri. Xhelozia nuk ka qenë pjesë e jona. Falim sepse askush nuk është perfekt. Ne i themi çdo gjë njëri-tjetrit, ndajmë shqetësimet dhe zhgënjimet tona. Nuk mbajmë asnjë gjë për vete se një ditë grumbullimi i tyre do të shpërthejë pa arsye.

Çfarë keni marrë nga njëri-tjetri, në gjithë këto vite?

Mendoj se unë kam marrë nga Besniku vetëpërmbajtjen, megjithëse kam akoma punë për të bërë (qesh). Mënyrën e menaxhimit të financave të familjes. Besniku është më i arsyeshëm në shpenzime se unë. Unë dëshiroj të kënaqem për momentin, ndërsa Besniku mendon edhe për të ardhmen. Ndërsa se çfarë ka marrë Besniku nga unë duhet ta pyesni vetë atë.

Kush ka qenë më pranë fëmijëve, ju apo Besniku

Të dy në mënyra të ndryshme. Unë isha më shumë e pranishme fizikisht. Besniku e ka patur kohën më të pakët. Por ai ka qenë sidomos atëherë kur duhej. E kam fjalën se ai nuk ka munguar kurrë kur djemtë kanë patur nevojë të këshilloheshin me të. Po ashtu në familjen tonë ka qenë rregull i hekurt që të paktën një herë në ditë hanim të katër sëbashku, kohë kjo kur ai fliste më djemtë dhe i dëgjonte ata. Për të gjitha të tjerat jam marrë unë më shumë në rritjen e tyre të përditshme.

Cila është sakrifica më e madhe që keni bërë për Besnikun?

Kam ndryshuar mënyrën time të jetesës për t’iu përshtatur ritmit të tij. Kur jemi martuar ne, në shtator 1983, Besniku kishte botuar dy libra. Pra, shkrimi kishte zënë përfundimisht vend në përditshmërinë e tij. Letërsia ishte profesionalisht qëllimi më i lartë i jetës së tij. Unë këtë e dija para se të martoheshim dhe e mora parasysh. Në këtë kuptim, unë sinqerisht që nuk e quaj sakrificë. Është zgjedhje nga ana ime. Edhe sot që nuk ka më asnjë angazhim publik, ai është më së paku 8 orë në ditë në tryezën e punës, para fletës së bardhë. Dhe kjo përsëritet 7 ditët e javës gjatë 12 muajve. Ne tashmë udhëtojmë shumë pak sepse Besniku na jep shumë pak kohë për udhëtime. Mua më pëlqejnë udhëtimet, por jo vetëm. Domethënë, jo pa Besnikun. Dalim shumë pak mbrëmjeve për darka apo aktivitete të tjera. Sepse Besniku punon në mbrëmje përjashtuar rastet kur ftojmë miq në shtëpi apo na vijnë fëmijët. Unë nuk e fsheh, e admiroj burrin tim për atë që është dhe për atë që bën. Sipas mendimit tim, admirimi është thelbësor për dashurinë.

Ka qenë ai një burrë që ju ka ndihmuar qoftë në punët e shtëpisë?

Po, sepse ha çfarë t’i vendos unë përpara. Nuk bëj krejt shaka. Kam shoqe që nuk e kanë këtë lehtësi me bashkëshortët e tyre. Te Besniku janë tre vëllezër, pa motër. Nëna e tyre i ka rritur pa llastime. Ndërsa mua nëna ime e ndjerë ma ka mësuar mirë “zanatin” e zonjës së shtëpisë. Kjo do të thotë se unë me vetëdije shumë rrallë gjatë jetës sonë të përbashkët i kam kërkuar të bëjë në shtëpi nga ato punë që unë, në edukimin tim, i mendoj si punët e mia. Por, më besoni, sa herë ka qëlluar t’ia kërkoj, ai nuk ka përtuar t’i bëjë. Dhe di t’i bëjë. Besniku e ka kaluar gjithë adoleshencën dhe rininë e parë në konvikt, larg familjes dhe dashje pa dashje ka mësuar të kujdeset për veten.

Zonja Donika, ju keni jetuar edhe me prindërit e Besnikut, ju ka penguar kjo pjesë?

Ne kemi marrë në shtëpi babain e Besnikut dhjetë vitet e fundit të jetës së tij, kur vjehrra ime na la. Ai ishte i pamundur fizikisht për shkak të një goditje cerebrale, por mendjen e kishte fare të kthjellët. Pa e tepruar po ju them se ishte një burrë i mrekullueshëm. Pa asnjë tekë, vetëm fjalën e mirë në gojë, mirënjohës, pra, shumë i rehatshëm për t’i shërbyer. Gëzohej me punët e mia në televizion më shumë se për sukseset e Besnikut. Ai që do, e gjen kohën për t’i shërbyer një njeriu të tillë. Të paktën kjo është përvoja ime. Mua më desh te koka kur u rëndua. Ka dhënë shpirt në krahët e mi, duke më bekuar.

Fakti që Besniku ka qenë pjesë e politikës të ka pëlqyer, apo të ka bezdisur?

Të dyja, të them të drejtën. Jam gëzuar kur ai ngjitej dhe po kaq jam gëzuar kur ai më tha se kishte vendosur të jepte dorëheqjen për t’u larguar njëherë e mirë nga politika.