Bota Dosja e OKB: Oqeanet, gjithnjë e më të ngrohtë

Dosja e OKB: Oqeanet, gjithnjë e më të ngrohtë

Për shkak të ngrohjes globale, oqeanet do të jenë objekt i një rritjeje të paprecedentë temperaturash dhe rënies së oksigjenit. Është ky denoncimi që del nga raporti i Komitetit Shkencor për Klimën i OKB-së, dedikuar oqeaneve dhe akullnajave.

Mes pasojave të tjera parashikohen dhe valë të të nxehtit, reshje të dendura dhe ciklone më  të shpeshta dhe shkatërruese si dhe rritje të nivelit të ujit e reduktim të kafshëve të detit.

Në raport shkruhet se humbja në masë globale e akullnajave dhe zhdukja e akujve arktikë që pritet të vazhdojë deri në 2050-ën, për shkak të rritjes së temperaturës në sipërfaqe, do të ketë pasoja të pashmangshme.

Sipas parashikimeve në shekullin e 21-të, oqeanet do të kenë një rritje të pashmangshme të temperaturave e cila do të shoqërohen me shumë pasoja. Këto ndryshime do të ndikojnë dhe në burimet ujore dhe përdorimin e tyre. Parashikohet që dhe zjarret të shtohen në mënyrë domethënëse në pjesën tjetër të shekullit, sidomos në rajonet malore.