Aktualitet Drejtori i Rendit: E vërteta e gazit në protestë, ja ku e...

Drejtori i Rendit: E vërteta e gazit në protestë, ja ku e ka blerë policia

Drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishaj, ka dhënë detaje mbrëmjen e së premtes sa i përket metodologjisë dhe logjistikës që Policia e Shtetit ka përdorur në protestat e opozitës kohët e fundit.

Duke komentuar organizimet e PD-LSI, Dervishaj tha se policia është përpjekur t’iu sigurojë pjesëmarrësve mundësitë maksimale.

“Për tubimet e opozitës u hartua një plan masash me ekspertët më të mirë. Detyra e Policisë është që të jetë transparente me ndërkombëtarët. Ndaj ju siguroj se policia asistohet nga partnerët në situata të tilla” – tha Dervishaj.

I pyetur për llojin e gazit të përdorur Drejtori i Rendit Publik shpjegoi se ai nuk përbën rrezik për shëndetin.

“Gazi i përdorur është blerë në Izrael dhe për këtë mund të gjeni faturat, marrëveshjet dhe VKM-të përkatëse. Bëhet fjalë për agjentë të njohur ndërkombëtarisht qe shërbejnë për menaxhimin e turmave, të përcaktuara me ligj” – tha Albert Dervishaj në emisionin ‘Java në RTSH’.