Politika Duka: Futja në listën e PD na ka penalizuar

Duka: Futja në listën e PD na ka penalizuar

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, thotë se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme me listat e veta. Në studion e emisionit “Në fokus”, në TvT, Duka tha se futja në listat e PD-së e ka penalizuar partinë e tij.

“Kur hyra në listat e PD bëmë atë marrëveshjen e famshme, që u penalizuam ne. Nuk kishte më kohë për regjistrim në KQZ. Unë do të garoj në listën e PAA, në krye të listës për qarkun e Durrësit”, tha ai.

Duka tha se nuk ka qenë për djegien e mandateve dhe këtë e ka bërë të qartë.

“Ne kemi pasur 5 mandate dhe nuk i morëm, sepse menduam se ky parlament nuk ia vlente të vazhdonte jetën politike. Nuk është se unë kam qenë dakord me djegien e mandateve”, tha ai.

Kreu i PAA shtoi se ka abuzime me tenderat, një praktikë që PD duhet ta denoncojë.

“Nëse ti do të marrësh një tender, duhet të shkosh të falesh te të fortët. Nëse vazhdon kështu, nuk do të ndryshojë asgjë më, as kodet, as sistemet. Nëse një firmë e madhe në Shqipëri duhet patjetër të kalojë të marrë dorën te një i fortë, ne kemi marrë fund. Nëse është e vërtetë kjo, PD duhet ta denoncojë me emra, jo ta kalojë si meteor”, tha ai.