Sport Dy ndeshje vendosin fatin e Kovac, Bayerni mendon për Mourinhon dhe Allegrin

Dy ndeshje vendosin fatin e Kovac, Bayerni mendon për Mourinhon dhe Allegrin

Një karton i kuq në minutën e 9 ndaj Jerome Boateng dhe më pas 5 gola të pësuar e vetëm një i shënuar, bënë që Bayerni i Mynihut të marrë një nga humbjet më të thella në histori në transfertën ndaj Eintrachtit të Frankfurtit.

Humbjes së thellë i shtohet edhe fakti që Borussia Monchengladbach fitoi sërish dhe shkoi në +4 pikë nga bavarezët në krye të renditjes, ndërsa pakënaqësia ndaj trajnerit kroat Niko Kovac është shtuar ndjeshëm tashmë.

Fansa të shumtë bavarezë po kërkojnë shkarkimin e kroatit, opsion që sipas mediave gjermane, tani po e mendojnë edhe drejtuesit e klubit, që shohin ndërprerjen e kampionatit pas javës së ardhshme, si momentin ideal për të ndryshuar kreun e pankinës.

Në rast të shkarkimit të Kovac, në “pole” për të marrë vendin e tij është Jose Mourinho, i cili prej thuajse një viti është i papunë dhe në intervistat e tij nuk e ka mohuar dëshirën për të punuar në një kampionat të ri dhe në CV-në e tij mungon një eksperiencë në Bundesligë.

Përveç portugezit, një emër që “josh” drejtuesit e Bayernit është edhe ai i ish trajnerit të Juventusi, Massimiliano Allegri, që gjithashtu është i lirë dhe i gatshëm për të provuar një eksperiencë jashtë Italie.

Megjithatë gjasat janë që Kovac të luajë shanset e tij në mesjavë në Champions dhe në fundjavën e ardhshme ndaj Borussias së Dortmundit, ku vetëm dy fitore bindëse mund ta mbajnë në pankinën bavareze edhe për disa javë të tjera.