Kulturë E droguar, e abuzuar seksualisht, e mashtruar… Zbulohet jeta e trishtë e...

E droguar, e abuzuar seksualisht, e mashtruar… Zbulohet jeta e trishtë e Maria Callas

E famshme, e talentuar si pak të tjerë, me një jetë të klasit të lartë, sopranoja Maria Callas do të duhet të ishte zilia e të gjithëve. Por mesa duket jeta e saj personale ka qenë krejt tjetër gjë.

Disa letra të saj, publikuar së fundmi nga Lyndsy Spence, e cila ka patur akses në këtë korrespondencë të papublikuar më parë, hedhin dritë mbi marrëdhënie të vështira, deri edhe në dhunë seksuale nga njerëz të afërt me të, si p.sh Aristotel Onassis, një miliarder grek që më vonë u martua me Jackie Kennedy.

“Në vitin 1966, Onassis p.sh e drogoi për përfitim seksual. Sot mund ta quanim përdhunim”, shkruan gazeta “The Guardian” që referon biografen.

Marrëdhënia nuk ishte e lehtë as me bashkëshortin, Giovanni Battista Meneghini, i cili siç shprehet sopranoja i kishte marrë gjysmën e parave duke përfituar nga naiviteti i saj. Një tjetër ngacmim i erdhi nga kreu i shkollës muzikore “Julliard” të New York-ut, Peter Mennin, i martuar, që i doli kundër pas refuzimit të Callas. Një miniaturë e skandalit Wienstein të atyre ditëve.

Spencer thotë se në arkivat e vëna në dispozicion ka gjetur letra të papublikuara, ku lexohen edhe “mendimet më intime të Callas”. Një e dhënë që nuk mund të kalojë pa rënë në sy është raporti i saj me nënën, e cila punonte si prostitutë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhënie e vështirë edhe me të atin, që e mashtroi përmes një letre në kërkim të ndonjë ndihme financiare.

“Më ka ardhur në majë të hundës me egoizmin dhe indiferencën e prindërve të mi ndaj meje. Nuk dua më marrëdhënie me ta…”, shkruhet në një nga letrat e Callas.

Materiali dokumentar zbulon edhe një nga episodet më të trishta të jetës së saj: fundin e karrierës, problemet shëndetësore, humbjen e zërit dhe në fund vdekjen në vitin 1977.

“Callas vuante nga një çrregullim neuromuskular simptomat e të cilit filluan në vitet ’50 por ajo u refuzua nga mjekët si e çmendur. Kjo shpjegon edhe humbjen e zërit të saj për të kënduar që ia ndërpreu në mes karrierën”, vijon Spencer.

Një jetë në art, famë, talent, muzikë, pasuri dhe trishtim. Dramë familjare, zhgënjim. Si akt i një romani jetësor, ngjan skenar i denjë për film. Si kohë e jetuar nga dikush me kaq fat ironik, patjetër që ka qenë një ankth pa fund, i zgjidhur nga vdekja.