Kryesore “E para që i jepet një individi”/ Rama i jep Luan Kapajt...

“E para që i jepet një individi”/ Rama i jep Luan Kapajt medaljen e artë: Jam shumë i prekur që jam pranë teje

Luan Kapaj, është zjarrfikësi i cili ishte gati të sakrifikonte jetën e tij për shpëtimin e njerëzve që ishin nën rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Lufta e tij me kohën në misionin e kërkim shpëtimit u kthyen shumë shpejt në simbolin e sakrificës dhe solidaritetit në ato ditë të errëta për Shqipërinë.

I ulur pranë dy njerëzve që pa të s’do i kishin parë më dritën e diellin, Luan Kapaj u nderua nga kryeministri Edi Rama.

“Sot unë dëshiroj që t’i jap Luanit medaljen e artë për vlerësim profesional, që në fakt është krijuar prej disa kohësh dhe që është dhënë për herë të parë trupave që na ndihmuan për kërkim shpëtimin, por është e para që i jepet një individi. Duke ia dhënë këtë medalje e vendosim stekën shumë lart për individë të tjerë që meritojnë të vlerësohen. Jam shumë i prekur që jam pranë teje, sepse në kushtet e jetës së përditshme njerëzit si ti që janë me mijëra, janë thjesht në jetën e tyre dhe ne rrallë ose as fare i shohim në vlerën dhe rëndësinë që kanë për punën që bëjnë. Të jam shumë mirë njohës dhe të falenderoj shumë për gjithçka”, i tha Rama.

 “Më shumë se sa krenar kjo medalje mua më bën krenar për dy qytetarët e mi që sot janë bashkë me ne marrin ajrin e kësaj toke dhe shikojnë dritën e këtij dielli. Unë do t’i shërbej popullit tim deri në momentin e fundit të jetës sime”, tha ai.

Të pranishëm në ceremoni ishin dhe dy qytetarët që Luani u shpëtoi jetën, ku njëri tha: “Kishte zemër të madhe siç ka emrin ishte dhe vetë”.