Kulturë “E tejkalova dhe gabova”, Will Smith i kërkon publikisht falje Chris Rock...

“E tejkalova dhe gabova”, Will Smith i kërkon publikisht falje Chris Rock pas shpullës që i dha në OSCAR

Will Smith ka kërkuar falje për goditjen me shpullë Chris Rock në ceremoninë e Ocars të dielën, duke thënë se sjellja e tij ishte e papranueshme dhe e pafalshme. Përmes një postimi në Instagram, aktori ka shkruar se ndihet i turpëruar nga veprimet e tij, të cilat tronditën të pranishmit, producentët dhe shikuesit e ceremonisë.

“Dhuna në të gjitha format e saj është helmuese dhe shkatërruese. Sjellja ime në ndarjen e çmimeve Oscar mbrëmë ishte e papranueshme dhe e pafalshme. Shakatë në kurriz të mi janë pjesë e punës, por një shaka për gjendjen shëndetësore të Jadës ishte e tepërt për mua dhe reagova emocionalisht. Dëshiroj të të kërkoj falje publike, Chris. E tejkalova dhe gabova. Jam në siklet dhe veprimet e mia nuk ishin tregues i mashkullit që dua të jem. Nuk ka vend për dhunë në një botë dashurie dhe mirësie“,ka shkruar Will Smith.

Më tej, Smith vijoi duke iu kërkuar falje organizatorëve dhe producentëve të shfaqjes.

“Unë gjithashtu do të doja t’i kërkoja falje Akademisë, producentëve të shfaqjes, të gjithë të pranishmëve dhe të gjithëve që kanë parë gjestin tim në mbarë botën”, vazhdoi Smith.

Falja e tij erdhi pasi grupi organizator i Oscar dënoi veprimin e Smith.

Sjellim në vëmendje se Smith u ngjit në skenë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv të Oscars dhe goditi Chris Rock në fytyrë pasi komediani bëri një shaka për paraqitjen e gruas së Smith.

“Jada, mezi pres për GI Jane 2”, tha ai duke iu referuar qartazi flokëve të bashkëshortes së aktorit, e cila ka humbur tërësisht flokët për shkak të sëmundjes alopecia.