Politika Edhe në botë u është vënë flaka mandateve

Edhe në botë u është vënë flaka mandateve

Djegia e mandateve nga ana e opozitës është kthyer në kryefjalën mediatike të ditëve të fundit dhe është parë me skepticizë nga ndërkombëtarët. Por kjo “ndodhi” politike nuk është diçka sui-generis shqiptare.

Në rajon, Maqedonia dhe partia e kryeministrit Zoran Zaev, Lidhja Social Demokrate pezulloi në 2017 pjesëmarrjen në punimet e parlamentit përderisa Gjykata Kushtetuese të aprovonte ligjin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin e politikanëve. Ajo kërcënoi me djegie mandatesh, por pas disa muajsh ngërçi, presidentit Gjorgje Ivanov u detyrua të garantonte funksionimin e kësaj prokurorie, për të shkuar më pas në zgjedhje të parakohshme.

Por rasti më i fundit i djegies së mandateve nga ana e një opozite shkon jashtë kontinentit të vjetër, në Tailandë, ku në vitin 2013 partia kryesore e opozitës vendosi të bojkotonte parlamentin dhe të digjte mandatet në shenjë proteste. Duke u rreshtuar përkrah protestuesve, deputetët e opozitës nuk hynë në parlament për më shumë se dy javë.

“Zgjidhja e problemeve tona aktuale duhet të fillojë me shfaqjen e përgjegjësisë”, deklaronte në atë kohë ish-kryeministri Abhisit Vejjajiva duke njoftuar djegien e mandateve. “Kryeministri kurrë nuk ka treguar asnjë përgjegjësi apo ndërgjegje”.

Kriza politike u nxit nga një ligj që do t’i jepte amnisti vëllait të kryeministrit të Tajlandës, një manjati telekomunikacionesh dhe ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra. Thaksin u dënua për korrupsion.

Projekt-ligji nuk arriti të kalojë parlamentin, por kjo iniciativë arriti të dëmtonte paqen e brishtë shoqërore midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Thaksinit. Protestat lanë më shumë se 300 të plagosur dhe 50 të vdekur, pasi demonstruesit kërkonin largimin e kryeministrit Yingluck, të cilin e akuzonin si një kukull të vëllait të tij. Ky i fundit akuzohej për blerjen e zgjedhjeve të vitit 2011. Opozita ia doli të rrëzonte qeverinë, por zgjedhjet u mbajtën vetëm një vit më vonë pas vendosjes së qeverie tranzitore.

Një tjetër rast i ngjashëm ishte i ai i Koresë së Jugut në vitin 1996, kur të 80-të anëtarët e opozitës së Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut dhanë dorëheqjen duke kërkuar zgjedhje të reja të përgjithshme.

Të udhëhequr nga Kim Dae Jung, lideri kryesor i opozitës, ligjvënësit njoftuan një e nga një se do të digjnin mandatet dhe lanë ndërtesën e kuvendit. Një zëdhënës i partisë qeverisëse Liberale Demokratike, e cila kontrollonte 218 vende të asamblesë, tha në atë kohë se dorëheqjet ishin “të paligjshme” dhe nuk do të pranoheshin, por kjo nuk i ndali deputetët. Anëtarët që dhanë dorëheqjen thanë se do të refuzonin të pranonin pagat mujore prej 3,000 dollarësh, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ata kërcënuan po ashtu me bojkotimin e seancave, nëse parlamenti i Parlamenti i Koresë së Jugut nuk të vendoste për shkarkimin e presidentes Park Geun-hye në vitin 2016. Ata paralajmëruan se nëse nuk mbahej seanca për largimin e presidentes të përfshirë në skandale të mëdha korruptive, do të digjnin sërish mandatet.