Histori Elbasani, dhuratë e Udhës Egnatia

Elbasani, dhuratë e Udhës Egnatia

Nga Ilir Copja

A e dini se qyteti i ngritur në rrjedhën e mesme të lumit Shkumbin i njohur sot si Elbasan, feston ditëlindjen këtë shekull. Po, është e vërtetë feston ditëlindjen e tij të dymijtë. Në këtë udhëtim të gjatë mes shekujve dhe mijëvjeçareve ka ndryshuar emër, përkatësi, strukturë shoqërore, fetare dhe ekonomike. Në këtë udhëtim vetëm ajo nuk ka ndryshuar, “Udha e Madhe”, Udha Egnatia.

Përgjatë këtij shkrimi zgjedh të përdor fjalën “udhë” në vend të fjalës “rrugë” sepse udhëtimi historik i kësaj cope toke ka ecur në kalldrëmin e kësaj udhe. Elbasani i sotëm lindi në shekullin e i të kësaj Ere me një emër tjetër, Skampis. Qyteti lindi në kulmin e fuqisë së Perandorisë Romake, pjesë e të cilës ishte edhe Iliria (Illyricum) që prej vitit 167 para erës së re. Për shekuj me radhë Skampis e njihnim vetëm nga të dhënat e shkrimeve të lashta, pasi koha i kishte mbuluar gjurmët. Brezat e rinj të cilët nuk kanë patur interes për historinë dhe arkeologjinë u dukej si legjendë sepse nuk shihnin të dhëna të prekshme.

U desh një projekt i përbashkët italian-shqiptar-grek-turk për ti dhënë zë pas thuajse dy mijë vjetësh Skampis-it. Projekti në fjalë quhej “Festivali Ndërkombëtar Appia-Egnazia” i cili gjeti mbështetjen e specialistëve të Universitetit të Elbasanit, Aleksandër Xhuvani, Riza Hasa, dhe Albert Riska. Projekti kishte në qendër Udhën Egnatia, e cila shërbeu si filli Arjanes për të shkuar drejt gjenezë se qytetit, dhe për të nxjerrë në dritë dëshmi historike të mbuluar ndër shekuj.

Ky projekt arriti të vërtetojë me anë të zbulimeve arkeologjike lindjen dhe fëmijërinë e qytetit të sotëm të Elbasanit. Para syve të studiuesve u hap një puzzle i vërtetë, një qytet i nëndheshëm i cili tregonte se qyteti kishte qenë një qendër e rëndësishme qytetare ne antikitetin e vonë. Ndër zbulimet më të rëndësishme ishin: stela varri të shekullit I të erës së re, muri I jashtëm I kalasë, Bazilika e Shën Pjetrit. Këto zbulime sollën në dritë pesë shekujt e parë të jetës së qytetit. Me anë të këtyre zbulimeve u konfirmua edhe transformimi nga një mansion i vogël në udhën Egnatia nën varësinë e Durrësit në një qendër qytetare të rëndësishme që në shekullin e V-të merr rolin edhe të një qendre peshkopale.

Roli udhës Egnatia është qendror në këtë zhvillim dhe shndërrim të Skampisit. Objektet që shohim sot dhe ato ende të mbuluara nuk do të ekzistonin në rast se Udha Egnatia nuk do kishte rëndësinë e saj. Kalaja e Elbasanit është një kastro tipike romake, fortesë mbrojtëse dhe strehuese në Udhën Egnatia. Stelat è varrit të zbuluara I përkisnin ushtarëve të cilët shërbenin në këtë kastro romake. Shtimi i popullsisë dhe çoi në zhvillimin dhe shndërrimin në qytet (civitas) të Skampisit çoi në ngritjen e objekteve të kultit (Bazilika e Shën Pjetrit), objekteve të banimit (vila), objekteve të biznesit (magazina).

Udha Egnatia ka shërbyer si urë lidhëse midis lindjes dhe perëndimit. Skampis dhe me vonë Elbasani janë zhvilluar duke pasur në epiqendër udhën Egnatia. Edhe turqit otomane nën komandën e Sulltan Mehmetit II erdhën dhe e pushtuan kastrumin romak të Skampisit duke ardhur nëpërmjet Udhës Egnatia. Falë rëndësisë së kësaj udhë Elbasani përgjatë sundimit të Perandorisë Osmane dhe gjysmës së parë të shekullit të kaluar ishte një qytet I pasur tregtar dhe arterie kryesore ekonomike e Shqipërisë. Vetëm regjimi komunist ia humbi rëndësinë jetike Udhës Egnatia sepse zhvillimi ekonomik I qytetit u bazua tek industria e rëndë e jo tek tregtia. Në vitet 90′ hapja e Shqipërisë ndaj botës riktheu tregtinë e jashtme dhe shkëmbimet dhe sërish u shfrytëzua Udha Egnatia. Kësaj rradhe Udha Egnatia shërbeu si model i vënies në jetë të Korridorit 8, që lidh Shqipërinë, Maqedoninë Veriore, Bullgarinë dhe Turqinë.

Jeta dymijë vjeçare e qytetit të Elbasanit është dhuratë e Udhës Egnatia. Nëpërmjet saj është zhvilluar qyteti. Rëndësia e Udhës Egnatia ka përcaktuar jo vetëm ekonominë por edhe influencën politike e strategjike ndër shekuj të Elbasanit. Nga dëshmitë e autorëve antikë dhe zbulimet e fundit arkeologjike është faktuar roli jetik i Udhës Egnatia. Elbasani i sotëm dhe Skampisi antik mund të konsiderohen Dhuratë e Udhës Egnatia. Si çdo dhurate e çmuar lipset ta promovojmë dhe ta mbajmë me kujdes, mos e lëmë ta mbulojë pluhuri dhe harresa.