Kulturë Emilia Clarke: Më ushtruan presion që të zhvishesha tek “Game of Thrones”

Emilia Clarke: Më ushtruan presion që të zhvishesha tek “Game of Thrones”

Aktorja britanike, Emilia Clarke thotë se jo çdo skenë të realizuar në serialin “Game of Thrones”, që i dha të tjera përmasa famës së saj, e ka bërë me dëshirë.

33-vjeçarja, që luan rolin e Daenerys në këtë serial tregon një episod kur refuzoi që të zhvishej në një prej skenave të shumta të lakuriqësisë.

“Kam patur disa zënka në sezonin e parë të serialit. Kur mora skenarin dhe po e lexoja pashë që duhej të zhvishesha krejtësisht lakuriq. U thashë që nuk bëhet fjalë të hiqja çarçafin, sepse skena ishte me një çarçaf”, rrëfeu aktorja së fundmi në një intervistë për Dax Shepard.

Clarke sqaron se kishte një siklet të madh, pasi bëhej fjalë për realizimin e një skene lakuriqësie përpara dhjetra personave dhe për më tepër që në skenën e tretë që i ishte besuar në film. Ajo nënkupton më tej se ndjeu nota presioni nga producentët.

“Vendosa ta realizoj pasi më thanë se nëse nuk zhvishesha mund të zhgënjeja fansat e Game of Thrones”, rrëfen Clarke.

Duke folur në podcastin e aktorit Dax Shepard, Clarke thotë se ajo shkonte të qante në banjë para se të xhironte skenat nudo, por jo vetëm. Të njëjtën gjë bënte edhe kur do të luante skena të tjera të vështira.

Roli i saj si Daenerys Targaryen kërkonte që ajo të hiqte rrobat mjaft shpesh, në veçanti në episodet e para.

Aktorja nga Londra, e fitoi rolin e rëndësishëm kur ishte 23 vjeç dhe ky ishte roli i saj i parë me rëndësi për ekranin e madh.

Aktorja tregon se kolegu i saj Jason Mamoa, i cili luante rolin e burrit të saj abuziv, e ndihmoi shumë gjatë sezonit të parë.

Aktorët Emilia Clarke dhe Jason Mamoa gjatë “Game of Thrones” në rolet Khal Drogo dhe Daenerys Targeryan

Pavarësisht se sa të vështirë e ka patur, Clarke tregon se po njëlloj do t’i xhironte ato skena pasi mendon se ishin të rëndësishme.

“Unë kam pasur kaq shumë njerëz që më thonin kaq shumë gjëra për lakuriqësinë e Khaleesi-t në shfaqje. Por njerëzit nuk do të interesoheshin për të nëse nuk do ta kishin parë atë të abuzohej. Kështu që duhej ta shihje.”– thotë ajo. Khaleesi është titulli që mban personazhi i saj, Daenerys Targaryen.

Nuk ka patur ende ndonjë koment nga HBO dhe krijuesit e “Game Of Thrones” mbi deklaratat e Clarke.