Politika Endri Hasa nuk lë sallën, Ruçi shtyn seancën për pasdite

Endri Hasa nuk lë sallën, Ruçi shtyn seancën për pasdite

Ndërpritet për të pestën herë seanca plenare pasi deputeti i PD-së, Endri Hasa i përjashtuar nga Byroja për 10 ditë, nuk pranon të dalë nga salla.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se Byroja vendosi përjashtim me 10 ditë për deputetin Endri Hasa, nisur nga sot.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Zoti Hasa, liro sallën. Kryetar i grupit, nxirre deputetin përjashta. Hasa, liro sallën. Zoti kryetar i grupit, kontribuo për të zbatuar vendimin për të liruar sallën dhe për të mos e mbajtur peng deputeti i grupit tënd parlamentar. Procedura do vazhdojë kur deputeti të lirojë sallën. Peng seancën nuk mund ta mbajë asnjë deputet dhe asnjë grup parlamentar. Me sa duket s’keni ardhur për të debatuar sot. Ndërpritet seanca”, tha Ruçi.

Kreu i Kuvendit tha se seanca do nisë në orën 18:00 pasdite.

Nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Ruçit të nxjerrë jashtë kryeministrin Edi Rama. “Nxirr jashtë Edi Ramën, nxirr jashtë sharësin më të madh”, tha Berisha, por Ruçi e ka ‘kërcënuar’ me përjashtim nga seanca dhe atë.