Bota Europianët sulmohen në Afrikë, i akuzojnë se sollën koronavirusin

Europianët sulmohen në Afrikë, i akuzojnë se sollën koronavirusin

Historia ka “kthesa” disa herë të paparashikuara, për mos me thënë paradoksale. Për dekada, emigrantët nga Afrika që i drejtoheshin Europës kanë qenë të akuzuar se sillnin, mes të tjerave, sëmundje që mund të rrezikonin shoqërinë perëndimore.

Hera e fundit që kjo akuzë shpesh herë e bazuar në stereotipe, është mbështetur në fakte ka qenë gjatë përhapjes së virusit Ebola. Ndërkohë, një tjetër virus deri diku i ngjashëm, koronavirusi, po përmbys drejtimin e akuzave.

Po përsëriten me ritme shqetësuese ditët e fundit sulmet ndaj europianëve në disa vende të ndryshme të Afrikës, që po sheh një rritje të përhapjes së koronavirusit në 43 vende nga 54 që përbëjnë kontinentin.

Deri më tani rastet janë 2300, por një përhapje e shpejtë mund të ishte fatale për shumicën e vendeve, që nuk kanë struktura shëndetësore të tilla që mund të përballojnë kriza masive.

Dhe me frikën që shtohet, lindin edhe akuza ndaj infektuesve, që identifikohen me europianët ose në përgjithësi me “të bardhët”, veçanërisht britanikë dhe italianë. Nga Kenya në Etiopia, deri në Burkina Faso, shtohet distanca, por edhe sulmet verbale dhe disa herë fizike ndaj tyre.

Në një rast, pikërisht në Burkina Faso, akuzat kanë prodhuar një skandal diplomatik, me ministren e kulturës vendase Caludine Lougue që ka akuzuar në televizion ambasadorin italian Andrea Romussi si personin që kishte sjellë virusin në vend, një nga më të varfrit e planetit.

Në Kamerun, Ganë dhe Tanzani, ambasadat evropiane këshillojnë shtetasit e tyre të mos dalin rrugëve, ndërkohë që edhe në një metropol deri diku modern dhe multikulturor si Nairobi, në Kenia, seli e disa organizatave ndërkombëtare, numri i perëndimorëve ka rënë ndjeshëm, me fluturimet e fundit të mundshme që janë plot me diplomatë dhe përfaqësues të NGO-ve që kthehen në vendlindje.