Sport FA Cup, Chelsea dhe Manchester United kualifikohen për në turin tjetër

FA Cup, Chelsea dhe Manchester United kualifikohen për në turin tjetër

Chelsea dhe Manchester United i bashkohen Tottenhamit në raundin e katërt të Kupës së Anglisë. Blutë e Londrës u kualifikuan për në këtë fazë të këtij kompeticioni, pasi mundën Nottingham Forest me rezultatin 2-0.

Pjesa e parë e sfidës së zhvilluar në “Stamford Bridge” u mbyll me rezultatin 0-0, por Chelsea kishte mundësinë më të mirë për të marrë avantazhin me një 11-metërsh që nuk u ekzekutua saktë nga Fabregas.

Me fillimin e pjesës së dytë Alvaro Morata zhbllokoi rezultatin për skuadrën e Sarrit duke i dhënë avantazhin 1-0. Pas 10 minutash spanjolli shënoi edhe golin e dytë për skuadrën londineze që vijon rrugëtimin e saj në Kupën e Anglisë.

Ndërsa Manchester United u kualifikua pasi mundi pa asnjë problem Reading me rezultatin 2-0 duke bërë që të vijojë momenti i artë për trajnerin Solskjaer.

Manchester United e siguroi këtë sukses që në pjesën e parë të ndeshjes kur shënoi të dy golat. Juan mata i dha avantazhin Djajve të Kuq pasi ekzekutoi saktë një 11-metërsh të akorduar nëpërmjet sistemit VAR.

Në çastet e fundit të pjesës së parë i erdhi radha Romelu Lukakut që të shënojë golin e dytë për Manchester United që duket se ka gjetur qetësinë pas largimit të Jose Mourinhos.