Sport Fabio Cannavaro: Buffon e De Rossi nuk duhet të luajnë më me...

Fabio Cannavaro: Buffon e De Rossi nuk duhet të luajnë më me kombëtaren

Fabio Cannavaro, ish-kapiteni i Italisë, njeriu që ngriti lart trofeun e Kupës së Botës në vitin 2006, nuk është dakord që dy ikona të futbollit italian si portieri Gigi Buffon dhe mesfushori Daniele De Rossi të rikthehen në kombëtares pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin “Rusi 2018”.

Në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, trajneri aktual i Guangzhou në Kinë, shprehet: “Asnjë nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë për këtë dështim. Nuk më duket rruga e drejtë që Buffon dhe De Rossi të rikthehen në kombëtare. Përvoja që patëm në Afrikën e Jugut, 4 vjet pas titullit kampion, duhet të na mësojë diçka”, tha Fabio Cannavaro.

“Dëgjoj ende që të flitet për të grumbulluar Buffon e De Rossi, që janë senator dhe ikona të futbollit italian. Unë i njoh dhe jam i lidhur me ta më shumë se kushdo tjetër për atë përvojë të jashtëzakonshme që patëm në vitin 2006.

Por e dimë që disa zgjedhje nuk funksionojnë ashtu si duhet, ndaj ata nuk duhet të bëjnë sërish të njëjtin gabim si në vitin 2010, kur dështuam në Botërorin afrikan.

Por nuk është faji i tyre, pasi i gjithë futbolli italian ka nevojë të ndryshojë, duke nisur nga krerët e Federatës”, tha Fabio Cannavaro, një nga ikonat e futbollit italian, kapiteni “azzurr” në Botërorin e zhvilluar 12 vite më parë në Gjermani.