Sport Sacchi “skanon” Serie A: Milan mund të ëndërrojë për titullin

Sacchi “skanon” Serie A: Milan mund të ëndërrojë për titullin

“Conte, trajner i shkëlqyeshëm, por a ka lojtarët e duhur? Piolit i duhet më shumë personalitet. Pirlo nuk ka pasur fatin e mirë për ta ndërtuar vetë ekipin, as për të marrë aty kë të dojë”

Një kampionat pa “bosë” apo hierarki, me alternimin e vetëm të “mbretëreshës”. Trendi është i njëjtë në Europë. Në Angli komandon Leicester, në Spanjë Real Sociedad, Seria A ka të parë kuqezinjtë. Arrigo Sacchi i ofron një lexim tjetër momentit “anarkist” të kampionateve kryesore europiane.

A e prisnit një kampionat kaq të “hutuar”?

Nuk është i hutuar. Për herë të parë në Itali kemi një grup strategësh, duke filluar nga fundi i tabelës. De Zerbi dhe Gasperini janë strategë, Sarri ishte i tillë. Conte ka një plan afatgjatë. Pyetja është: a mori Antonio lojtarë funksionalë? Është sikur skenaristi dhe regjisori të kishin në mendje një film komik dhe prodhuesi të sillte aktorë të mëdhenj dramatikë.

Divergjenca midis menaxherëve dhe teknikëve kanë ekzistuar gjithmonë…

Në futboll nuk flasim kurrë për funksionalitetin. Në çiklizëm, më i miri duhet të jetë një pedalues i shpejtë; në boks një goditës i rrufeshëm, në futboll nevojitet ekipi i mirë. Çfarë do të thotë kjo? Nëse unë jam trajner dhe kam një lloj ekipi të caktuar në mendje, por ti më jep lojtarë me karakteristika të tjera…

Cili është komponenti më i rëndësishëm për të pasur sukses?

Klubi, me historinë, vizionin, kompetencën dhe stilin e tij. Pastaj është ekipi, dhe së fundi projekti. Pa një skenar të qartë afatgjatë ka vetëm improvizim.

Ju po flisni për historinë e klubeve. A do të ribalancohet Serie A, a do të dalë më i forti?

Napoli në historinë e tij ka fituar dy tituj kampionati. Juventusi, Milani dhe Interi kanë dominuar gjithmonë. Për të dalë nga kjo situatë duhet të bësh një gjysmë mrekullie.

A po lufton Pirlo me Juventusin sepse është i ri?

Një trajner i ri nuk duhet domosdoshmërisht të luftojë. Te Juve tashmë kishte shumë lojtarë dhe ata nuk mendojnë të gjithë në të njëjtën mënyrë. Aty bëhet disi si Kulla e Babelit, më e vështirë. Unë e njihja Pirlon si futbollist, trajnerit duhet t’i jepet kohë. Ai nuk ka pasur fatin e mirë për ta ndërtuar vetë ekipin, as për të marrë aty kë të dojë.

Pioli është më me përvojë se Pirlo, po bën një punë të mirë. A është Milani i aftë për të arritur i pari deri në fund?

Po, Milan mund të ëndërrojë për titullin. Pioli, njeri shumë i mirë. Ai duhet t’i japë një identitet edhe më të fortë ekipit. Formacionet e tij kanë sens të përbashkët, por jo një identitet kaq të fortë. Duhet të punojë me shumë të rinj, pra ekipi po ndërtohet.

Conte është ndryshe. Inter ka një identitet…

Një trajner i shkëlqyeshëm. Ai jeton me futbollin, ka një siguri. Për Conte, gjithmonë mund të bësh më shumë dhe më mirë. Ai kërkon përsosmërinë, edhe pse nuk do ta arrijë kurrë atë. Kërkon maksimumin, lufton fort për këtë. Unë mendoj se duhej të bënte kompromise taktike. Nuk pranoj që disa lojtarë të mbërritur t’i përshtaten atij. Churchill thoshte: ndryshimi nuk do të thotë gjithmonë përmirësim, por për të përmirësuar duhet të ndryshosh.

Cili është mendimi për kampionatin aktual?

Më vjen keq që Sassuolo nuk është e para me Milanin. Sassuolo ka të drejtat e veta të autorit, nuk do të doja që ata të fillonin të kishin frikë. Skuadrat italiane janë të ndrojtura, gjithmonë kanë një tepricë mbrojtësish, krahasuar me kundërshtarin e huaj.

Jemi ende shumë mbrojtës?

Doni shembull? Real Madrid-Inter. Zikaltrit kishin dy sulmues, Lautaro dhe Perisic. Sa mbrojtës kishte Reali? Dy, Varane dhe Ramos. Nga ana tjetër ishte vetëm Benzema dhe tre qendërmbrojtës përballë tij: D’Ambrosio, De Vrij, Bastoni. Kështu që, Conte luajti me dy më pak. Në lëvizje duhet të ketë lojtar shtesë, jo gjëra statike.

Çfarë duhet të presim?

Disa të huaj më kanë telefonuar për të më pyetur se çfarë po ndodh në Itali, pse ka kaq shumë improvizime. Sa klube në Itali kanë një vizion afatgjatë? Pak. Besimi duhet të jetë: fito, bind, argëtohu. Por, a i ka bashkuar dikush këto tri gjëra së bashku? Tek ne bëhet fjalë vetëm për të fituar. Në këtë mënyrë ka pak rrugë për t’u bërë.