Kryesore FAST, krijohet njësia super-speciale me 50 ish-komando, kundër të fortëve në të...

FAST, krijohet njësia super-speciale me 50 ish-komando, kundër të fortëve në të gjithë Shqipërinë

Tradicionalisht vendi ynë ka pasur grupet e të fortëve, të cilët janë të njohur për vrasjet, kanosjet, gjobë vëniet apo edhe rrëmbimet. Shpesh është thënë që mbretërimit të tyre do u vijë fundi, por akoma këta të fortë enden rrugëve. Por si mund të bëhet goditja e tyre? Së fundmi, ishte kryeministri Edi Rama ai që premtoi goditjen njëherë e përgjithmonë të të fortëve. Sipas tij, një strukturë e posaçme do të hidhet në aksion.

“Kemi gati një njësi super speciale, që do të merret me të gjithë të fortët e rrugëve, ose të lagjeve ose të qyteteve. Ajo që e kam anonçuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit të policisë kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që duhet të jenë shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi të marrin frymë”, tha Rama.

Në 2012 u krijua rrjeti i ENFAST-it, qëllimi i të cilit është rritja e sigurisë brenda Bashkimit Europian duke përmirësuar ndjekjen dhe arrestimin e kriminalëve të kërkuar ndërkombëtarisht për krime.

Mësohet se në vendin tonë, kjo strukturë e re do të quhet FAST dhe do të ketë në përbërje 50 trupa të specializuar mes tyre ish anëtarë te forcave speciale te ushtrisë, të stërvitur dhe pjesëmarrës në misione luftarake si në Irak apo Afganistan.

FAST-i shqiptar do të jetë i ngjashëm me ato të 24 vende të tjera të Evropës dhe do të funksionojë 24 orë, me qëllim kapjen e personave të cilët janë të përfshirë apo në kërkim për ngjarje të rënda kriminale.