Politika Fatmira Hajdari përlotet para KPK: Jetoj në të njëjtën vilë që bleu...

Fatmira Hajdari përlotet para KPK: Jetoj në të njëjtën vilë që bleu Azemi

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, ka dalë këtë të hënë para vettingut. Ajo përballet për herë të parë me shkallën e parë të vettingut, ndërsa i duhet të justifikojë pastërtinë e figurës dhe pasurinë e saj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson se ILDKPKI ka përcjellë raport pozitiv mbi subjektin vlerësues ku thuhet se nuk ka fshehje pasurie, mosdeklarim apo konflikt interesi.

Por në relacionin e përgatitur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, thuhet se gjyqtarja, Fatmira Hajdari ka probleme me justifikimin e pasurisë pavarësisht se Inspektorati i Deklarimit te Pasurive ka dorëzuar raport pozitiv.

E veja e ish-deputetit të vrarë, Azem Hajdari në fjalën e saj para KPK-së u përlot, ndërsa tha se nuk ka gënjyer apo mashtruar mbi deklarimet që ka bërë. Ajo ka rrëfyer momentet e vështira teksa thotë se ka qenë e kërcënuar për shkak të situatës së krijuar gjatë trazirave në Shqipëri.

“Unë shkova te apartamenti i kunatit, pasi në atë kohë isha e kërcënuar për shkak të situatës. Gjatë kësaj kohe u rikonstruktua banesa tek “Vilat Gjermane”. Kemi qenë në një kohë krejt ndryshe. Veprimet kanë qenë informale. Unë nuk kam gënjyer asnjëherë në deklarimet e mia. Banka më atë kohë shkruante në dokumente fakte të paqena, boll të jepej kredia.

Mua kunati më dha apartament, por unë i thashë dua dyqan, që të mbaj fëmijët e mi. Kur shkova të nënshkruaj kontratën, pronari më tha: ti do paguash vetëm koston e investimit, pjesën tjetër e keni për familjen tuaj”, tha ajo.

Më tej znj. Hajdari është shprehur se të gjitha blerjet janë bërë përpara se ajo të bëhet subjekt i deklarimit të pasurisë.

“Rrjedha ime familjare në Tiranë ka nisur në vitet 1990. Na keni kthyer 30 vjet pas. Bashkëshorti im ka qenë deputet në vitet 90. Pas ardhjes në Tiranë kemi marrë një shtëpi tek ish-“Vilat Gjermane”. Në 1993 kam punuar në Ministrinë e Drejtësisë. Unë jetoj në të njëjtën vilë që ka blerë bashkëshorti im. Kam qenë korrekte në deklarimet e mia. Të gjitha blerjet janë bërë para se të bëhesha subjekt për të deklaruar”, shtoi ajo.

“Unë nuk kam shkuar në shtëpi tjetër, më kanë dhënë një kredi VIP për ta rikostruktuar. Në atë kohë gjërat kanë qenë si tani. Në lidhje me blerjen e dyqanit, është dhurim. Djali im Kiri iku në Francw nga rrëmujat pasi u ndihmua nga ambasadori i Francës në atë kohë. Jam ndihmuar shumë pasi bashkëshorti im u vra. Djali im nuk është marrë me persona që kanë pasur probleme me ligjin. Djali më shikonte në vështirësi dhe dëshironte të më ndihmonte. Ndërtesa që është sot 10-katëshe ka filluar si banesë për banim, por më vonë është kthyer në godinë të madhe.

Kemi përdorur para cash, nuk ka patur karta, vetë ILDKPKI ka qenë informale, nuk na ka dërguar siç duhet formularët. Betohem para jush dhe para popullit që kam punuar me pastërti, pasi pavarësisht deklarimeve në kohë kam qenë e ndershme. Kam qenë vetja gjithmonë dhe nuk ka patur askush asnjë ankesë për mua. Sot kohët kanë ndryshuar dhe deklarimet gjithashtu. Betohem se kam qenë një ndër gjyqtaret më të mira të Republikës së Shqipërisë”, tha Hajdari.

Sa i takon revokimit të vizës nga Ambasada amerikane, Hajdari pati këtë sqarim.

Hajdari:Unë kam plotësuar formularin dhe nuk kam patur asnjë dijeni për revokimin e vizës. Pastërtisht e them që nuk më është refuzuar viza nga Ambasada Amerikane. I kam shkruar drejtuesit të ILDKPKI dhe i kam kërkuar shpjegim se si mund të më dëmtojë mua figurën me qëndrimin që kanë mbajtur. Kur më kanë thirrur në ambasadë kam kujtuar se më thirrën për vajzën, e cila ka jetuar dhe shkolluar prej vitesh. Kam ikur atje dhe më kanë mbajtur pasaportën. Më vonë jam thirrur dhe më kanë komunikuar se më është revokuar viza pasi isha në proces vettingu. Prandaj, në lidhje me këtë kriter nuk mund të cilësohem e papastër nga ana figurës”.

Vetë avokati, Maksim Haxhia, deklaroi se klientja e tij nuk ka kryer fshehje pasurie dhe kërkoi nga trupa e KPK të sqarojnë dhe vendosin në lidhje me aftësinë profesionale.

“Në lidhje me pasurinë, gjykojini të ardhurat dhe shpenzimet, të cilat sipas llogarive tona janë të sakta“, tha ai.