Kryesore Fatura, ja sa do të kushtojnë zgjedhjet e 18 qershorit

Fatura, ja sa do të kushtojnë zgjedhjet e 18 qershorit

Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit do të kushtojnë 733,551,663 lekë.

Kjo është shifra që ka parashikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bazë të nevojave të saj për organizimin zgjedhor, dhe tre janë drejtimet kryesore: paga dhe shpërblime parashikohen 285,247,229 lekë, mallra 193,735,894 lekë dhe shërbime 254,568,540 lekë.

Sipas relacionit që “Shqiptarja.com” ka siguruar e që do të miratohet në 7 shkurt, drejtoria e Financës në bashkëpunim me drejtoritë e tjera në KQZ ka përgatitur dhe hartuar nevojat bazuar në kërkesat për realizim të standardeve zgjedhore në funksion të detyrimit ligjor që ka institucioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

PAGA dhe SHPËRBLIME

Në total për procesin e ardhshëm zgjedhor është parashikuar të punësohen në total 342 punonjës me kontratë të përkohshme. Pranë zyrave rajonale zgjedhore është menduar të angazhohen dhe 12 persona me aftësi të kufizuar(PAK), të cilët do të kenë në vëmendje dhe do të ndjekin problematikat e zgjedhësve PAK në QV-të e ZAZ-ve të qarkut përkatës.

Periudha e angazhimit të tyre do të jetë dy muaj para ditës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve. Ata do të paguhen 30 mijë lekë për çdo person për të gjithë kohën e angazhimit. Kosto totale e pagave të personelit të përkohshëm është 68.8 milionë lekë.

Janë parashikuar të shpërblehen 720 anëtarët e KZAZ-ve, 38500 anëtarët e KQV-ve për ditën e zgjedhjeve, 3,464 anëtarët e GNV-ve për ditët e procesit të numërimit. Kryetari dhe zv/kryetari i KZAZ-së 65,000 lekë; Anëtarët dhe sekretari i KZAZ-së 60,000 lekë; Kryetari i KQV-se 4,000 lekë; Anëtarët dhe sekretari i KQV-se 3,500 lekë; Anëtarët e GNV-ve 6,000 lekë.

KQZ emëron me vendim dy auditë teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së. Këta auditë në përfundim të procesit të verifikimit të hartimit të listave, shpërblehen nga KQZ me 120 mijë lekë secili.

KQZ ka miratuar 54 trajnues, për trajnimin e komisionerëve të KQV-ve 280 trajnues dhe për trajnimin e anëtarëve të GNV-ve 94 trajnues. Ata do të paguhen 4500 lekë për çdo ditë trajnimi. Kosto totale e shpërblimeve është 216.4 milionë lekë.

 SHPENZIME PËR MATERIALE

Sasia e fletëve te votimit është e barabarte me numrin e zgjedhësve, duke i shtuar 2%. Kështu, zgjedhës në rang vendi (shifër paraprake) janë 3.461.956, ndaj do të prodhohen 3.531.195 fletë votimi, dhe është parashikuar prodhimi i një maske për fletën e votimit për votuesit e verbër për çdo qendër votimi.

Vulat me kodet e sigurisë që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin 2017 të jenë të reja në ngjyrë bezhë dhe me numër gjashte shifror të bardhë. Vulat me kodet e sigurisë rezervë që do ti dërgohen qendrave të votimit, të jenë të reja dhe të kenë ngjyrë jeshile të errët.

Në total është parashikuar blerja e 120.500 copë kode sigurie. KQZ ka miratuar llojin dhe specifikimet e bojës timbruese që do të përdoret në këto zgjedhje. Sasia e parashikuar është 12.000 copë, (2 copë për çdo qendër votimi plus një sasi rezerve).

Kodi zgjedhor parashikon se  qendrat e votimit  përdorin dy vula ndërsa ZAZ-ja përdor një vule. Parashikohet prodhimi i 16.590 vulave gjithsej nga Ministria e Brendshme. Në total prodhimi i dhomave të fshehta dhe kutive për ambalazhim ka një kosto prej 9.4 milionë lekë.

Në total blerja e karburantit dhe e vajit motorik ka një kosto prej 3.6 milionë lekë. Shpenzimet për shtypshkrime kanë një kosto totale prej 46.1 milionë lekë. Shpenzimet për materiale kancelarie kanë një kosto totale prej 9.1 milionë lekë.

SHPENZIME PËR SHËRBIME

Këtu janë parashikuar shpenzime transporti për bazën materiale zgjedhore, trajnuese, promocionale. Transport i bazës materiale zgjedhore kryhet në mënyrë të alternuar; me mjetet e ushtrisë, me mjetet e postës si edhe nga vetë KZAZ-të. Në total shpenzimet e transportit kanë një kosto prej 24.4 milionë lekë. Shpenzimet për udhëtime dhe dieta kanë një kosto prej 11.6 milionë lekë.

Shpenzimet për njoftime kanë një kosto prej 880 mijë lekë. Për zhvillimin e trajnimit, ushtrimin e funksionit të KZAZ-ve, VNV-ve, qendrat e votimit në raste te caktuara, mund të përdoren ambiente private kundrejt pagesës. Në total shpenzimet për qiramarrje  kanë një kosto prej 18.8 milionë lekë.

Shërbimet e ndryshme kanë një kosto prej 34.7 milionë lekësh për veprime të ndryshme. Strategjia e edukimit të zgjedhësve përcakton qartë  projektet që u kushtohen të gjithë zgjedhësve, të cilat cilësohen ndryshe projekte të përgjithshme, por flitet edhe për  projekte të veçanta për grupe të ndryshme interesi.

Në total shpenzimet promocionale kanë një kosto prej 39.6 milionë lekë. Në vendin e numërimit të votave, KQZ-ja vendos për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kosto totale e projektit të kamerave regjistruese është 124.6 milionë lekë.